Barcelona është në krye të listës së klubeve europiane me borxhin më të lartë sipas klasifikimit të kompanisë së auditit, “Deloitte”, me gjigantët katalanas që arrijnë një borxh 1.35 miliardë euro në total. Problemet financiare të skuadrës spanjolle janë të dokumentuara, me klubin që nuk arriti dot të rinovonte kontratën e Mesit verën e shkuar për shkak se nuk kishte më hapësirë në faturën e rrogave.
Shumë prej lojtarëve ulën pagat, ndërkohë patën vështirësi të federoheshin. E njëjta situatë paraqitet edhe këtë verë. Me Frenk Kesin dhe Andreas Kristensenin është arritur prej kohësh akordi, por lojtarët që vijnë me parametër zero nuk mund federohen ende. Kërcënuese është edhe situata për Robert Levandovskin, me presidentin e La Ligës, Havier Tebas, i cili pranoi këtë javë se transferimi i sulmuesit polak është i pamundur.
Sipas “Cadena Ser”, Barça duhet të gjenerojë 500 milionë euro përpara datës 30 qershor për të ekuilibruar bilancet e saj. Pas një takimi të bordit të martën, drejtuesit vendosën të thërrasin një asamble të jashtëzakonshme më 16 qershor për të diskutuar një plan operacional se si të ekuilibrojnë borxhet dhe i dhënë klubit oksigjen në merkaton e kësaj vere.
Plani është të sigurohen 740 milionë euro. 200 milionë euro pritet të sigurohen nga shitja e 49.9% të aksioneve të kompanisë në zotërimin e klubit “Barça Licensing and Merchandising” dhe po mendohet edhe shitja e 25% të të drejtave televizive të La Ligës për një apo më shumë kompani. Këtë javë trajneri Ksavi është takuar edhe me presidentin Joan Laporta për të diskutuar për merkaton. Ksavi është i sigurt se cilat janë prioritetet e tij.
Ai ka kërkuar 8 futbollistë, përfshirë Azpilikuetën, Alonson, Kristensenin, Kulibalin, Kesin, Ruben Nevesin, plus Rafinjën dhe Levandovskin. Disa prej këtyre lëvizjeve janë mbyllur, me të tjerët po negociohet dhe janë në fazë të avancuar. Por sigurisht që duhet krijuar hapësira edhe në skuadër dhe do të diskutohen emrat që do të dalin në shitje këtë verë.
Arena e Lajmit
Loading…