Vendimi u mbajt sekret/ Qeveria nuk ndalet, jep me koncesion tek privati deri në 40 vjet edhe kompleksin e Pallatit të Brigadave

Qeveria Nuk Ndalet Pallati Brigadave Kocension Kontrata

Qeveria, pasi e miratoi që në janar projektin e restuarimit të Pallatit të Brigadave, për muaj me radhë mbajti sekret draftin e hartuar prej saj.

Të plotë vendimin për Planin e Menaxhimit të Integruar të Ansamblit Historik të Pallatit Presidencial e botoi vetëm dje në Fletoren Zyrtare. Qeveria vendosi të menaxhojë Ansamblin Historik të Pallatit të Brigadave përmes një partneriteti të quajtur PMI (Plan Menaxhimi i Integruar).

Plani i Menaxhimit të Integruar do të përbëhet nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme, të cilët e njohin këtë monument, sipas qeverisë. Përmes vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, theksohet se ky menaxhim do të bëhet në partneritet me një periudhë prej 20 vitesh, ku pala e interesuar duhet të ketë financimin e duhur dhe përvojën për rijetëzimin e këtij Ansambli.

Por, vendimi i qeverisë i referohet ligjit 27/2018 “Për trashëgimin kulturore dhe Muzetë” ku në pikën 5 të saj thuhet: Kontrata e rijetëzimi lidhet për një kohëzgjatje deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi vetëm një herë, nëse subjekti ka përmbushur me korrektësi të gjitha detyrimet kontraktuese, në bazë të raportit të Inspektoratit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Një gjë e tillë nënkupton që fondacioni, i cili e ka marrë me koncesion restaurimin e Pallatit Presidencial dhe që mbahet sekret, ka të drejtë rinovimi edhe për 20 vite të tjera, çka do të thotë për 40 vite.

Projekti i Pallatit të Brigadave është njësoj me atë të Parkut të Butrintit, i cili u dha për 10 vite me koncesion dhe janë të njëjtat procedura të ndjekura edhe në rastin e vendimit të fundit të qeverisë. Parku Kombëtar i Butrintit, një nga asetet historike dhe kulturore më të mëdha kombëtare do të mbushet në të ardhmen e afërt me lokale, restorante e hotele. Edhe në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për restaurimin e Pallatit Presidencial në kapitullin “Turizmi dhe Infrastruktura”, bëhet e qartë se lejohen kafenetë dhe baret. “AHPB-ja zhvillon hapësirën natyrore që ka, Parkun e AHPB-së dhe në varësi të interesit të partnerëve të ndryshëm, mund të ofrojë shërbime për vizitorët aty (kafene apo brasserie me impakt minimal në mjedis)”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, që parashikon administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga ky fondacion, shkaktoi polemika të forta mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe të arkeologëve, të cilët u ndjenë të përjashtuar nga procesi i konsultimeve. Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është krijuar me një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, një korporatë jofitimprurëse e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara, i cili ka mbështetur dhe hartimin e planit të biznesit për menaxhimin e Butrintit. Pasi e miratoi qeveria në Kuvend, Presidenti Ilir Meta e kthye për rishqyrtim ligjin për projektin e Butrintit, i kundërshtuar fort nga opozita.

PLATFORMA
LIGJI Nr. 27/2018 PËR TRASHËGIMINË KULTURORE DHE MUZETË Neni 186

KONTRATA E RIJETËZIMIT

1. Kontrata e rijetëzimit nuk mund të ndryshojë regjimet për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerës kulturore të paluajtshme që është objekt i saj, siç është përcaktuar në përputhje me këtë ligj.

2. Kushtet e përgjithshme dhe të posaçme të kontratës së rijetëzimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Në rast se subjekti kërkues do të ndërtojë infrastrukturën përkatëse, ndërtesa dhe instalime ndihmëse në zonat e lira të zbulimeve arkeologjike brenda zonës së mbështetur, kontrata duhet të përcaktojë kushtet teknike për ndërtimin e kësaj infrastrukture.

4. Përpara nënshkrimit të kontratës, subjekti fitues duhet të garantojë zbatimin e saj, nëpërmjet depozitimit, në favor të autoritetit të procedurës, të garancisë bankare të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë, në vlerën prej 5 për qind të projektit.

5. Kontrata e rijetëzimi lidhet për një kohëzgjatje deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi vetëm një herë, nëse subjekti ka përmbushur me korrektësi të gjitha detyrimet kontraktuese, në bazë të raportit të Inspektoratit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

6. Funksionet e ruajtjes, të mbrojtjes, kontrollit teknik, inspektimit dhe mbikëqyrjes së pasurive të dhëna në rijetëzim ushtrohen në përputhje me këtë ligj.

AFATI
20 vit është koha e dhënies së koncesionit të restaurimit të Pallatit të Brigadave. Por, vendimi i qeverisë i referohet ligjit 27/2018 “Për trashëgimin kulturore dhe Muzetë” ku në pikën 5 të saj thuhet: Kontrata e rijetëzimit lidhet për një kohëzgjatje deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi vetëm një herë, nëse subjekti ka përmbushur me korrektësi të gjitha detyrimet kontraktuese, në bazë të raportit të Inspektoratit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. /Gazeta Panorama/

Kontrata sekrete per dhenie… by Gazeta Panorama

Ligji trashgimnia kulturore by Gazeta Panorama

Vendimi u mbajt sekret/ Qeveria nuk ndalet, jep me koncesion tek privati deri në 40 vjet edhe kompleksin e Pallatit të Brigadave

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook