Paradoksi ‘Lautaro’, Interi do ta shesë pas sezonit më të mirë të karrierës

Nga nxjerrja e tij në shitje te përfundimi i një sezoni në mënyrë fantastike kaluan shumë pak muaj, të cilët bënë që Lautaro Martinez jo vetëm të zhvillonte sezonin e tij më të mirë në karrierë, por edhe të lejonte Interin të shpresonte për titull deri në ditën e fundit. Ishte falë gjithë kontributit të argjentinasit, që zikaltrit arritën dhe te trofetë e Kupës dhe Superkupës së Italisë, në një sezon që rezultoi të ishte më i miri i karrierës së tij.

LAUTARO 2

Paradoksalisht, Lautaros nuk i ka mjaftuar për ta fshirë emrin e tij nga lista e largimeve të Interit, me klubin që nuk e konsideron të pashitshëm dhe është gati ta sakrifikojë në momentin e parë. 80 milionë eurot me të cilat vlerësohet kartoni i tij janë çdo gjë që u duhet financave të klubit në këto momente, për më tepër që nga shitjet dhe blerjet e merkatos detyrimi është që plusvalenca të jetë pikërisht 80 milionë euro.

“Demi” nuk dëshiron të largohet, e ka pohuar këtë disa herë, ka marrë vendime personale duke refuzuar edhe Barcelonën që nuk ka gjetur terren për të kontaktuar agjentët e tij, i vetëdijshëm se tek Interi është në vendin e duhur për t’u rritur edhe më. Me ambiciet e Lautaros të pafundme, le t’u hedhim një sy shifrave të sezonit që lamë pas, që tregojnë pse 24-vjeçari dëshiron të vazhdojë karrierën në Milano dhe pse klubi kërkon të përfitojë nga paraqitja e tij.

RENDIMENTI

3293 minuta të shpërndara në 49 ndeshje në të gjitha kompeticionet kanë bërë që lautaro të jetë i pazëvendësueshëm në formacionin e Inzagit, duke parë edhe rendimentin e tij. Sulmuesi e ka shpërblyer besimin e trajnerit me 25 gola në total, 21 prej të cilëve në kampionat, 2 në Kupën e Italisë dhe nga 1 në Champions e Superkupën e Italisë, të cilave u ka shtuar edhe 3 asiste, duke ndikuar edhe në produktivitetin e shokëve të tij të skuadrës. Kontributi i Lautaros nuk ndalet këtu, sepse me një mesatare prej 0.6 driblimesh dhe 1.5 goditjesh në kuadrat për ndeshje ka qenë një rrezik konstant në zonën kundërshtare duke tërhequr skuadrën përpara. Jo pak mundësi kanë lindur edhe nga këmbët e argjentinasit, që ka krijuar 0.8 raste për ndeshje, por Lautaro shkëlqen tek ajo që di të bëjë më mirë: të shënojë.

24% është përqindja realizuese e numrit 10 zikaltër duke qenë një ndër arsyet kryesore pse milanezët patën sulmin më të mirë të kampionatit. Numrat janë vetëm maja e ajsbergut të të gjithë asaj që 24-vjeçari i ofron skuadrës. Lautaro ka treguar se di të jetë jo vetëm lider në fushën e lojës, por edhe jashtë saj, madje ka treguar edhe personalitet duke përballuar kritikat në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duke arritur të reagojë pas një periudhe të errët që pushtoi atë dhe Interin. Tani ambicia e tij është të jetë lider edhe i së ardhmes zikaltër, por për këtë ka përballë një barrierë të pakalueshme, klubin e tij të zemrës, Interin, që nëse detyrohet të zgjedhë mes tij dhe parave, do të zgjedhë këto të fundit.

STATISTIKAT:

767665

 

Arena e Lajmit


Loading…

Paradoksi ‘Lautaro’, Interi do ta shesë pas sezonit më të mirë të karrierës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook