Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari ka marrë pjesë në takimin publik të Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë. Teksa bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 7 korrikut, Braimllari deklaroi se kjo situatë e rëndë në të cilën ndeshet vendi kërkon bashkimin e të gjitha energjive politike dhe jo politike kundër një regjimi të tillë i cili nuk mendon për qytetarët.
Ai tha më tej se ka shumë arsye pse duhet të protestojmë më datë 7 korrik, duke nisur nga çmimet e larta që po vrasin çdo ditë familjet shqiptare, te korrupsioni dhe çmimi i karburanteve.
“Protesta e 7 korrikut vjen si rezultat i një thirrje të shoqërisë civile. Kësaj strukture e cila gjatë gjithë këtyre viteve ka protestuar seriozisht e pakapur nga regjimi monist i rilindjes. Kjo situatë e rëndë në të cilën ndeshet vendi kërkon bashkimin e të gjitha energjive politike dhe jo politike kundër një regjimi të tillë i cili nuk mendon për qytetarët.
Ka shumë arsye pse duhet të protestojmë më datë 7 korrik. E parë nga çmimet e larta të cilat po vrasin çdo ditë familjet e shqiptarëve. Korrupsioni dhe abuzimi i tmerrshëm me aferën më të madhe korruptive të bërë ndonjë herë në një vend, atë të inceneratorëve të cilën e ka vazhduar ta denoncojë dhe këto ditë kryetarja e LSI.
Rritja e çmimit të karburantit me porosi të oligarkëve të Rames dhe në kurriz të qytetarëve. Papërgjegjshmëria arroganca e rilindjes rëndon mbi qytetarin e thjeshtë. Protestojmë për fermerët që po përballen çdo ditë e më shumë me falimentimin për naftëtarët dhe për çdo shtresë të shoqërisë. Unë ju bëj thirrje të marrim pjesë masivisht si një reagim qytetar dhe si një detyrim moral”, deklaroi Braimllari.