Në radhët e Bylisit ka mjaft lojtarë cilësorë, madje disa prej tyre kanë qenë titullarë edhe në Kategorinë Superiore me mallakastriotët. Bylisi rikthehet në elitë me një brez ku dominon elementi i ri, por mund të themi se në Ballsh janë nën kontratë lojtarë cilësorë, të cilët kanë eksperiencën e duhur që të përballojnë elitën e madje dhe të jenë ata boshti i Bylisit. Duke nisur që nga mbrojtja, aty ku janë Trumçi, Muçollari, Samba apo Preka.
Për të vijuar me mesfushën e skuadrës mallakastriote, ku vlen të theksohen emrat e brazilianit Lorran, një nga më të mirët e sezonit, që sapo u mbyll. Një tjetër lojtar i spikatur në këtë sezon është edhe Ruçi, i cili ka qenë pjesë e skuadrës mallakastriote edhe para dy sezoneve në elitë.
Pa harruar edhe të riun me perspektivë, Babakar Fall, si dhe Xhoel Maçollin, që lanë gjurmë në Kategorinë e Parë. Biringueta, nëse qëndron, do t’i sigurojë Bylisit shumë lëvizshmëri, pasi është një lojtar shumë punëtor, që gjithashtu e njeh mirë Superioren, sepse ka luajtur me Kukësin më parë.
Në sulm Eridon Qardaku, golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë dhe Antoni Beji, e kanë blinduar formacionin dhe pritet që kushdo të vijë në Ballsh në këtë repart, ta nisë aventurën si zëvendësues dhe të shpresojë në lojën e dobët të kësaj dysheje. Aboubakar Kamara, ish-i i Partizanit dhe i riu Serxhio Emini janë gjithashtu dy lojtarë, që kanë treguar se mund t’i vlejnë Bylisit. Pak a shumë me këtë përbërje do të nisë Bylisi i Superiores, ku natyrisht që do të ketë edhe përforcime për skuadrën e parë, pa harruar edhe sjelljen e ndonjë të riu të talentuar për ekipin U-21, që u shpall kampion.
ERJON SALIU – Arena e Lajmit
Loading…