Rama flet për raportin për lirinë e medias: Në asnjë vend të rajonit nuk e kanë lirinë që kanë në Shqipëri. Presidenti? Do të gjykojmë mbi emra

Rama 1

Kryeministri Edi Rama ka folur për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri si dhe për raportin për lirinë e medias pas mbledhjes së kryesisë së PS. Rama tha se në asnjë vend të rajonit mediat nuk e kanë lirinë që kanë në Shqipëri.

I pyetur për Presidentin e ri dhe nëse do ishte e gatshme maxhoranca të miratonte një emër të sjellë nga opozita, ai deklaroi se  nuk jemi ulur në tryezë mbi paragjykime dhe se do të gjykojmë mbi emra.

Do shkoni me një emër më 15 maj që do jetë raundi i parë apo do prisni një emër nga opozita?

Duhet të presësh edhe pak (gazetares) sepse nuk ka mbaruar 60 ditëshi i riedukimit.

Indeksi i lirisë së medias?

Në asnjë vend të rajonit mediat nuk e kanë lirinë që kanë në Shqipëri. Nuk ka raport dhe nuk ka indeks, nuk ka top që e luan këtë pavarësisht se çfarë mund të thonë indekset dhe raportet. Për mua raportet që meritojnë të lexohen janë shumë pak, duke filluar nga raporti i progresit të BE-së, ku një grup i tërë njerëzisht punojnë 24/7 pa pushim për të përgatitur raportin të bazuar mbi fakte dhe dokumente dhe jo mbi perceptime dhe interesa të caktuara. Kam mësuar nga gjithë këto vite leximi që të jem selektiv në leximin e tyre sepse një pjesë e këtyre raporteve nuk janë të besueshëm.

Por edhe raporti i DASH dhe rezoluta e PE-së ngre shqetësimin për situatën e mediave në Shqipëri?

Nuk shoh asnjë shqetësim për situatën e medias në Shqipëri përveç shqetësimit që çdo ditë më shumë shtohen viktimat e abuzimeve në emër të lirisë së shprehjes, shtohen viktima e shpifjes, të fabrikimeve, e bullizmit. Vitin e kaluar nuk më rezulton se ka pasur asnjë gjyq të bërë ndaj asnjë gazetari, nuk më rezulton se ka pasur asnjë gazetar të kërcënuar nga asnjë lloj organizate, të paktën ato që janë të deklaruara. Nëse pastaj kush bën raportet ka të dhëna të padeklaruara do të isha shumë i lumtur që të vihesha në dispozicion për t’i marrë vesh këto të dhëna. Por që mbas vitit të shkuar kur gjithçka ka shkuar pa asnjë problem, pa asnjë incident, pa asnjë presion, pa asnjë ndërhyrje, gjë që e dëshmon dhe marrëdhënia ime me ju besoj përfshirë…

Me ju, flas për ju të gjithë.

Koncepti i riedukimit në këtë rast lidhet me nevojën që ashtu sikundër unë respektoj të gjithë ju, ashtu edhe ju duhet të më respektoni mua jo për personin, por për publikun. Në asnjë vend të botës liria e shtypit nuk i jep të drejtë askujt që të bëjë zhurmë dhe të mos mbajë nivelin minimal etik. Nëse ky është presion për shtypin, atëherë këtu realisht shtypi është tejet i lirë.

Në një reportazh të ZDF deklarohet që politika shqiptare është e lidhur me krimin e organizuar?

Faktet janë ato që kanë rëndësi për mua, provat janë ato që kanë rëndësi për mua. Faktet dhe provat i keni në të gjitha raportet e progresit të BE-së, në të gjitha raportet e ecurisë jashtëzakonisht pozitive të luftës kundër krimit, ndaj drogës. Liria e medias dhe reportazhet e lira janë një çështje që ka problematikën e vet kudo, edhe në Gjermani.

Sa e gatshme do të jetë PS-ja për të miratuar qoftë dhe një kandidaturë për President që do të vijë nga PD-ja?

Ne nuk jemi ulur në tryezë mbi paragjykime. Ne do të gjykojmë mbi emra dhe nuk do të paragjykojmë se nga vijnë propozimet përderisa jemi ulur në tryezë me palë të tjera të cilat nuk janë në të njëjtën vijë fronti me ne, por janë përballë nesh në arenën politike. Ndërkohë që në këtë çështje jemi në një tryezë. Nëse do të vijë një kandidaturë e pëlqyeshme do ketë 100% miratimin tonë. Nëse atyre do t’i pëlqejë propozimi ynë, do kemi 100% apo x % mbështetjen e tyre. Nëse jo, në fund fare falë ndryshimeve kushtetuese që u bënë në 2008 dhe që po provohen gjithmonë e më të vlefshme janë më shumë se 71 vota në parlament dhe Shqipëria do të ketë një president normal .

Rama flet për raportin për lirinë e medias: Në asnjë vend të rajonit nuk e kanë lirinë që kanë në Shqipëri. Presidenti? Do të gjykojmë mbi emra

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook