Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur fjalën e Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz i cili në takimin me kryeministrin Albin Kurti theksoi edhe njëherë përkushtimin për Procesin e Berlinit.
Meta shkruan se mbështetja e kësaj nisme gjithëpërfshirëse është në interesin më të mirë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të rajonit për më shumë rezultate konkrete, më shumë mbështetje financiare dhe më shumë vlera europiane.
E përshëndes përkushtimin e Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, të shprehur sot edhe ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të rifilluar Procesin e Berlinit me një dinamikë të re. Mbështetja e kësaj nisme gjithëpërfshirëse është në interesin më të mirë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të rajonit për më shumë rezultate konkrete, më shumë mbështetje financiare dhe më shumë vlera europiane”-shkruan Meta.
Mesazhi i Kryeministrit Kurti në videon e shpërndarë nga Presidenti Meta
Albin Kurti: Ne mbështesim plotësisht Procesin e Berlinit dhe e mirëpritëm përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re. Po ashtu ne mbështesim Tregun e Përbashkët Rajonal i cili ndodhet brenda Procesit të Berlinit dhe rregullave të BE-së, është gjithëpërfshirës,i ka katër liritë prandaj edhe nuk i mbështesim iniciativa të tjera paralele.
Për Kosovën është e rëndësishme që në këtë proces qytetarët të jenë përfituesit përfundimtarë, saktësisht siç e tha edhe kancelari Scholz.
Të gjitha iniciativat rajonale ne i pranojmë, i mirëpresim dhe i konsiderojmë të dobishme, atëhere kur e kemi BE brenda si vlerë dhe gjithashtu pjesëmarrës aktiv. Të gjitha iniciativat e tjera paralele që dëshirojnë të hapin Ballkanin ndaj fuqive nga Lindja apo Verilindja ne nuk i mirëpresim dhe i konsiderojmë të panevojshme.
Arena e Lajmit