Shqetësimi i tifozëve të Erzenit për ngërçin që ekziston në klubin shijakas pas ngjitjes në Kategorinë Superiore, ka detyruar kryetarin e bashkisë, Elton Arbana, që të bëjë një reagim publik. Ky i fundit ka sqaruar tifozët në rrjetet sociale për atë që ka në dorë Bashkia Shijak dhe çfarë i takon shoqatës “Klubi i Futbollit Erzeni”, që gjatë vitit të kaluar ka zgjedhur si kryetar Marius Shahinin.
Në një kohë që tifozët shijakas denoncojnë në rrjetet sociale se bashkia mban peng ndërtimin e stadiumit “Tofik Jashari” dhe të skuadrës, kryebashkiaku Arbana ka bërë këtë reagim:
“A e dini që Erzenin e ka shoqata? A e dini që lojtarët i merr shoqata? A e dini që ekipin e formon shoqata? Nëse nuk e bëjnë dot ekipin, të vijnë dhe ta dorëzojnë te bashkia. Sa për dijeni, bashkia është në dispozicion të shoqatës. Në vend që të bëni thirrje të ndihmoni shoqatën në çdo aspekt, bëni përçarësin! Çfarë lidhje ka këtu firma e munguar për të krijuar ekipin? Për të krijuar ekipin s’duhet as firma ime dhe as stadiumi. Sa i përket stadiumit, duhet vetëm që FSHF dhe shoqata të bëjnë investimin, kaq. Firma nga bashkia do të jepet dhe ne me shoqatën do të bashkëpunojmë”.
SHOQATA
Përpara se të reagonte kryetari i bashkisë, Arbana, ka pasur ankesa nga zyrtarët e klubit sa i përket stadiumit. Fundim Dollaku, i cili ka pasur një rol të rëndësishëm në sezonin e fundit, ndër të tjera ka thënë:
“Bashkia i ka projektet tona në tavolinë muaj më parë dhe nuk po konkludon akoma. Punimet në stadium ishin parashikuar të fillonin në mars, por ngelën peng i një firme. Vazhdon e njëjta histori, në një kohë që ligji i sporteve thotë qartë se si veprohet për dhënien në përdorim të stadiumit shoqatës së klubit të futbollit, si e vetmja që mund të organizojë aktivitetin e futbollit në qytet”.
Arena e Lajmit
Loading…