Juventusi është prej kohesh në kërkim të një zëvendësuesi për Paulo Dibalën, me argjentinasin që do të largohet sezonin e ardhshëm nga bardhezinjtë. Emrat në listën e drejtuesve janë të shumtë, por në ditët e fundit duket se është shtuar dhe ai i sulmuesit të Çelsit, Kristian Pulisiç, me të cilin duket se kanë filluar kontaktet e para.
Sipas asaj çka raporton “Tuttomercato.web”, amerikani duket se është dhe në listën e të larguarve të mundshëm te Çelsi në përfundim të këtij sezoni, me Masimiliano Alegrin që do të ishte i lumtur ta kishte në ekip, në sulmin e përbërë nga Kieza dhe Vlahoviç.
Zërat për largimin e 23-vjeçarit i kanë shtuar dhe deklaratat e babit të tij disa ditë më parë, i cili u shpreh në një postim në rrjetet sociale se i vjen keq për djalin e tij sepse ai e do klubin, shokët e skuadrës dhe Londrën.
Pas këtyre fjalëve Juventusi do të ishte i gatshëm t’i prezantohej Çelsit me një ofertë për të realizuar këtë transferim të sulmuesit në Torino.
Arena e Lajmit