Romelu Lukaku do të largohet për herë të dytë nga Çelsi si një dështim. Sulmuesi belg i bluve është nxjerrë në shitje dhe konfirmimi vjen nga redaksia e ”Sky” në Angli që ka bërë të ditur nga burime pranë klubit se këtë verë, ai do të largohet përfundimisht nga skuadra e drejtuar nga Tomas Tuhel.
Sipas burimeve të medias britanike, Lukaku nuk shihet si pjesë e projektit për të ardhmen dhe në momentin që do të hiqen sanksionet, kushdo që të jetë pronari i ri, do ta nxjerrë në shitje futbollistin pasi është e qartë se nuk përshtatet dot me londinezët.
Megjithatë, çmimi i kartonit të tij nuk është i ulët, pasi u mësua se Çelsi ka vendosur shifrën 75 milionë euro si kuotën për të cilën do të lejojë të largohet futbollistin. Nuk janë të shumta skuadrat që mund ta përballojnë këtë shpenzim, por pavarësisht problemeve me Çelsin, ai mbetet një emër shumë i vlerësuar në futbollin europian dhe pritet që të ketë klube të rëndësishme në garë për të.
Arena e Lajmit