Performanca e Ronela Hajatit në “Eurovision” vijon të jetë një temë e nxehtë në rrjet, që ka sjellë reagime të shumta.
Në lidhje me skualifikimin e Shqipërisë mbrëmë ka reaguar edhe kompozitorja e njohur Eriona Rushiti.
Ajo ka bërë një analizë ku sqaron disa nga shkaqet se pse Shqipëria dështoi në gjysmëfinalen e Eurovision.
Sipas saj skualifikimi i Shipqëisë ishte i pritshëm pasi këngët që nuk kaluan në finale ose ishin të vjetra në stil, ose nuk u kënduan mirë, sepse këngëtarët nuk e përballuan skenën siç duhej, ndërsa shton se në rastin tonë të gjitha komponentët e një kënge çaluan.
Më tej ajo ka renditur edhe arsyet pse çaloi Shqipëria në Eurovision.
ANALIZA E PLOTË
Sigurisht që mbrëmë jo të gjitha shtetet arritën të shkojnë në finale dhe nuk është fundi i botës. Me aq sa i kam ndjekur këngët e Eurovisionit këtë vit, si dhe perfomancat a natës së parë, mendoj që kualifikimet për në finale ishin të pritshme dhe të drejta.
Këngë të stileve të ndryshme, por mbi të gjitha përfaqesime shtetesh me koncepte të qarta për atë që prezantonin.
Dhe mbremë nuk vura re ndonjë ndasi politike, apo gjeopolitike. Sepse këngët që nuk kaluan ose ishin të vjetra në stil, ose nuk u kënduan mirë, sepse këngëtarët nuk e përballuan skenën siç duhej, ose si në rastin tonë ku të gjitha komponentët e një kënge çaluan.
Të përfaqësosh një shtet (në të gjitha fushat e artit, sportit etj) është fat dhe përgjegjësi, sepse jo çdokujt i vjen kjo mundësi.
Të marrësh pjesë në një garë kënge, në rradhë të parë duhet të kesh këngën, pastaj interpretimin, e në fund performancën. Sikur njera nga këto të mos jetë në vendin e duhur, ajo skenë e madhe të nxjerrë zbuluar. Dhe ne mbrëme nuk kishim asnjeren nga këto komponentë:
1-Kënga ishte një miksim i gjithçkaje dhe i asgjëje.
2-Interpretimi nxorri në pah mungesën e regjistrit të poshtëm (vokal) dhe pamundësi për të kërcyer e kënduar njëkohësisht ( qoftë edhe atë material që më shumë është krijuar si këngë stadiumi, me britma, me numra 1-2-3 e fjalë pa asnjë lidhje llogjjke me njëra-tjetrën)
3-Dhe së fundmi performanca që kishte si qëllim vetëm lëvizjet joshëse për një publik të orëve të vona të natës.
Të gjithë këto komponente dukej se ishin bërë “me vesh” i themi në nga anët tona😂. Kengë me një strukture arrna-arrna, ku është gjetur vetëm një motiv i kapshëm për veshin dhe e gjithë pjesa tjetër e mbushur me pasthirrma agresive a thua se po shkonim ne luftë. Nje tekst që ka brenda edhe “xhamadanin vija-vija” edhe fjalën “regret”, edhe “toca-tocalo, “edhe “ta marrsha” edhe “ma ke bo jeten si lojna, avion” e nuk mbaj mend çfarë ka brenda tjetër😂
Nisur nga kjo, edhe performanca sigurisht që nuk mund te ketë as koncept, e as fabul, kështu që do i thërrasësh në ndihmë ndonjë pjese intime për të tërhequr vëmendje e për të justifikuar titullin e këngës “Sekret” që as atë nuk e justifikoi, sepse sekreti doli sheshit😂
Edhe njëherë e theksoj që përfaqësimi i një shteti, është mbajtja e atij flamuri në dorë dhe jo qëllimi për të bërë sa më shumë folloëersa në profilin tënd. Edhe pse Ronela bëri më të mirën e mundshme, ka bërë aq sa mund të bëjë ajo për veten e saj, por jo për shtetin që përfaqëson, sepse ne dime akoma të ndërtojmë një vijë të bukur melodike, ne dimë akoma të ndërtojmë një mesazh kënge, apo të rendisim ca vargje, ne dimë akoma të këndojmë të vetëm në skenë, qoftë edhe me një ndriçim modest e të emocionojmë me vokal…
Ne dime akoma të shijojme muzikë dhe kur them ne, e them si për brezin tonë (profesionist, apo jo), por edhe për brezin e djalit tim që më tha: “Shumë më bukur Moldavia o ma, me atë folkun e pastër, sesa ne me këtë këngë”.
Kam shumë për të folur e treguar sesi punojnë shtetet në drejtim të përfaqësimit të tyre, qoftë edhe në këtë Eurovisionin që thuhet se nuk është më si dikur, por që në fund ka një vlerësim për të gjithë. Dhe peshën e vlerësimit e marrin juritë profesioniste të secilit shtet si dhe votat e publikut.
Jam e sigurtë që mbrëmë Shqipëria nuk ka marrë vlerësim të jurive profesionale, por mund të ketë patur vota publiku, e kryesisht të fanatikëve e fansave të përfaqësimit tone ( sepse e bëjnë çdo vit me devotshmerinë më të madhe dhe në rradhë të parë, sepse e duan Shqipërine) por të cilat nuk mjaftojnë për ta kaluar këtë garë.
Po kthehem edhe njëherë në fillim ku thashë nuk është fundi i botës dhe se Ronela do vazhdojë jetën e saj artistike për fansat që e ndjekin gjithmonë, por edhe për ata fansa të shtuar këto kohe që me natyrën e saj karizmatike i ka mbajtur gjallë që nga koha e shpalljes si fituese e festivalit.
Por kur paraqitesh në Eurovizion, nuk është njësoj si të besh një klip e të marrësh ca klikime, nuk është e njejta gjë me të kënduarit në një shesh të mbushur me të rinj. Jo më kot u censuruan disa foto të Ronelës në proven e saj të parë. Organizatorët e Eurovizionit i kujtuan edhe njëherë ekipit shqiptar faktin qe ky është një eveniment familjar. Pra kemi të bëjmë me një shoë ndërkombëtar dhe jo individual.
Me këtë nuk dua të them se jam kundra ekstravagancës, apo thyerjes së disa tabuve shqiptare, por të gjitha këto duhen bërë me art, duan eksperience skenike, duan krijimtari e mbi të gjitha duan dinjitet artistik e jo banalitet.
……….
Jeta vazhdon. Festivale të tjera na presin.
Peace ✌️!