Ndonëse duhej të ishte një ditë e bukur dhe normale për çiftin e të rinjve Vilma dhe Arjan Konomi, duke shijuar diellin e të dielës bashkë me foshnjën e tyre tre muajshe, shpejtësia tej normave dhe” errja e syve” të një 39-vjeçari para dritës së kuqe të semafori , ndryshoi gjithçka për ta sot.
Ajas Sulejmani, nën efektin e lëndëve narkotike, drejtonte mjetin e tij luksoz “Benz G Class”, por mungesa e kthjelltësisë bëri që të mos ndalej para semaforit të kuq, duke aksidentuar çiftin dhe fëmijën e tyre që po kalonin në vizat e bardha.
Menjëherë pas aksidentit, ndërsa qytetarë të shumtë që ndodheshin në zonën e rrugës së Kavajës në Tiranë, vrapuan t’u vinin në ndihmë të aksidentuarve, 39-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes.
Dy orë më pas forcat e policisë kanë bërë të mundur arrestimin e tij në një spital privat, ndërsa pas kryerjes së testin të drogës, ai ka rezultuar se ka qenë nën efektin e narkotikëve.
Para efektivëve të policisë ai ka deklaruar se arsyeja pse u largua nga vendi i ngjarjes ishte për shkak se në makinë kishte një fëmijë të vogël, i cili është lënduar po ashtu. Por nga dëshmitë e qytetarëve që u ndodhën në vendngjarje është pohuar se ai është larguar i vetëm në këmbë, shkruan Panorama.
Por kjo nuk ishte hera e parë që efektivët e patrullës rrugore “përballeshin” me Sulejmanin, pasi ky i fundit ishte gjobitur deri më sot plot 8 herë, për shkelje të kodin rrugor.
Jo më larg se tre javë më parë, ai ishte shoqëruar edhe në komisariatin e policisë, ndërsa mjeti i tij luksoz që sot vuri në rrezik për jetën familjen me tre anëtarë, ishte bllokuar nga policia.
“Drejtuesi i automjetit me targa të huaja, shtetasi me iniciale A. S., 39 vjeç, i dyshuar si autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit. Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit. Po ky shtetas është shoqëror tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor”, njoftoi policia.
Ndërkohë për fat të mirë, fëmija ka arritur të shpëtojë pa dëmtime që i rrezikojnë jetën, por nëna e tij dhe babai janë plagosur më rëndë dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.