Rinovoi për 2 vite me Vllazninë, Hakaj: Falënderoj Partizanin, ju tregoj çfarë më bindi që të qëndroja

Mbrojtësi i majtë, Ersin Hakaj, do të jetë edhe për dy sezone pjesë e Vllaznisë. Edhe pse pati oferta të ndryshme nga jashtë apo nga Superiorja, ku Partizani u tregua shumë aktiv për ta rikthyer ish-mbrojtësin, por nuk ia doli, ndonëse Hakaj i falënderon shumë për interesimin.

Hakaj

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, pas rinovimit me kuqeblutë, 25- vjeçari pohon se nuk ka qenë përzgjedhje e nxituar, por e argumentuar dhe i bindur nga projekti që ka presidenca shkodrane për Vllazninë e sezonit të ri. Rinovimi ka brenda edhe klauzolën e largimit jashtë vendit, ku klubi nuk do të bëhet pengesë madhore.

Hakaj pohon se pas dy trofeve të Kupës së Shqipërisë Vllaznia ka radhën që të dalë kampione, që sipas tij mund të ishte realizuar që këtë vit. Ndërsa ecurinë në Ligën e Konferencës e shikon të varur edhe me vlerat e kundërshtarit që shorti do t’u vërë përballë. Gjithsesi, sipas mbrojtësit ruajtja e grupit është një garanci për realizimin e objektivave nga shkodranët në edicionin e ri.

Hakaj, keni përzgjedhur sërish Vllazninë për sezonin e ri?

Po, ishte një zgjedhje që nisi nga një aspekt i logjikshëm, pasi Vllaznia është gjithçka për mua. Por nisur nga ofertat e ardhura për disa ditë kam pasur dilema nëse do të vijoja përsëri me Vllazninë. Megjithatë, mendoj se tani kam bërë zgjidhjen e duhur, në mënyrë që të kërkoj më të mirën me këtë skuadër.

Çfarë jua mbushi më shumë mendjen për këtë gjë?

Pas fitimit të dy trofeve të Kupës së Shqipërisë mendoj se këtë herë Vllaznisë i ka ardhur radha për të fituar edhe kampionatin. Projekti që më prezantoi presidenti Xhaferi më bindi edhe më tepër për të qenë pjesë e kësaj skuadre. Boshti, pothuajse, ishte ai i sezonit të shkuar. Mendoj se të gjithë e njohim mirë njëritjetrin dhe vazhdimësia do të jetë e rëndësishme. Duke shikuar edhe vlerat e shokëve u binda që do të ishte diçka pozitive të vijoj me Vllazninë.

Kishit oferta nga ekipe jashtë vendit dhe nga Superiorja, a mund ta dimë se cilat ishin skuadrat që shfaqën interes për ju?

Dua të falënderoj drejtuesit e Partizanit, pasi më janë afruar menjëherë, madje me ofertë shumë joshëse. Megjithatë, interesimet nuk më kanë munguar as nga Hungaria dhe Kroacia. Por isha i dyzuar edhe vetë, pasi disa nga shokët e skuadrës dëshironin që të vijonim këtë rrugëtim së bashku.

Do të presim një Vllazni konkurruese në Ligën e Konferencës?

Ne duhet që të bëjmë më të mirën. Ne duhet të japim maksimumin tonë dhe më pas të shpresojmë për më tej. Kualifikimi nuk do të varet vetëm nga ne, por edhe nga vlerat e kundërshtarit që do të kemi përballë.

Drejtuesit po mundohen që të mbajnë fort bërthamën e ekipit. Si e shikoni këtë?

Mendoj se është gjëja më e mirë e mundshme. Ne e njohim mirë tani njëri-tjetrin. I njohim vlerat dhe “huqet”, prandaj nuk ka ku shkon më mirë sesa ky grup, duke vijuar me plusminuset e veta në sezonin e ri.

Përmendët dy Kupat radhazi, mendoni se Vllaznia në sezonin e ri do të jetë për kampion?

Edhe sivjet ishim për kampion. Shumë makinacione dhe gjykime nga më të pafalshmet ishin në dëmin tonë. Kësaj here besoj se ne do të jemi për kampion. Pas dy vitesh si pretendent kryesor dhe fitues i Kupës, këtë vit do të jetë radha jonë që të ngremë trofeun e titullit e kampion.

Një ofertë tunduese nga jashtë Superiores mund të bëjë që ju të vijoni punën larg Vllaznisë, si është parashikuar kjo klauzolë?

Unë kam rënë dakord me drejtuesit e klubit që në rast të një oferte të mirë të vijoj karrierën time jashtë Superiores. Madje, edhe për shifrën e këtij transferimi drejtuesit më kanë thënë se do të jemi dakord që të bisedojmë, në mënyrë që klubit të mos bëhet pengesë. Por tani mendja është te Vllaznia, t’ia lëmë kohës se çfarë mund të ngjasë për një transferim jashtë vendit.

ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit


Loading…

Rinovoi për 2 vite me Vllazninë, Hakaj: Falënderoj Partizanin, ju tregoj çfarë më bindi që të qëndroja

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook