Mirel Josa nuk kishte asnjë preferencë për shortin, pasi është i bindur se të gjitha skuadrat që mund të nxirrnin goglat, janë të forta. Vllaznia do të luajë në turin e dytë të Ligës së Konferencës ndaj ekipit rumun, Universitatea Kraiova, që u eliminua nga Laçi në edicionin e kaluar. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Shkodër më 21 korrik.
“Me cilindo ekip që të na binte, do të ishte e vështirë. Ne jemi të detyruar të bëjmë punën tonë. Me sinqeritet nuk kisha asnjë preferencë, meraku im i vetëm është që lojtarët e mi të jenë në një gjendje sa më të mirë për ndeshjen e parë. Universitatea Kraiova është një klub i madh dhe historik në Rumani. Janë ekip serioz dhe gjatë gjithë kohës kanë qenë në treshen e parë në kampionatin rumun. Ne do të bëjmë gjithçka për të kaluar turin”, ka thënë Josa për “Panorama Sport” pak minuta para se të zbriste në fushë për të kryer stërvitjen e parë.
Kujtojmë që rivalë të mundshëm për Vllazninë kanë qenë edhe emra si Dinamo Tbilisi (Gjeorgji), BATE Borisov (Bjellorusi), Kairat Almati (Kazakistan) dhe Makabi Tel-Aviv (Izrael).
Loading…