“Do të afrojmë 2-3 sulmues të rinj”, Rangnik: Për Kristiano Ronaldon vendos…. Ten Hagu

Mançester Junajtid përshëndetet me tifozët në “Old Trafford” këtë sezon me një fitore kundër Brentfordit.

RANGNIK RONALDO

Në ndeshjen e fundit të sezonit në shtëpi, skuadra e Rangnikut fiton 3-0, por nuk është se ka shumë shpresa në kualifikimin e tyre në Champions.

“Djajtë” renditen 5 pikë larg vendit të katërt, Arsenalit, dhe kanë luajtur edhe dy ndeshje më shumë sesa “Topçinjtë”.

Ndeshjen e zgjidh një gol i bukur i Bruno Fernandeshit në minutën e nëntë (asist fluturimthi i Elangës dhe portugezi ekzekuton në të njëjtën mënyrë), ndërsa Ronaldos ia prishi festën VAR për pozicion jashtë loje pasi shënoi përpara se të shkohej në pushim.

Në pjesën e dytë, 37-vjeçari fiton dhe transformon në gol një penallti ndërsa suksesin e Junajtidit e vulos një devijim i Varan pas një goditjeje këndi në 72′.

“Djajtë” u ngjitën në kuotën e 58 pikëve, -3 nga Totenhemi i vendit të pestë dhe 5 pikë larg vendit të fundit që të dërgon në Champions.

RANGNIK – Trajneri në largim, Ralf Rangnik, këmbëngul se nuk do të jetë ai në rolin e konsulentit që do të vendosë në verë për largimin apo jo të Kristiano Ronaldos (ka edhe një vit kontratë, por edhe opsionin për të rinovuar për një tjetër sezon), por këtë do ta vendosë trajneri i ri, Erik ten Hag.

“Ai ka treguar se mund të jetë ende një pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre, gjithsesi është e qartë që ekipi ka nevojë për disa sulmues më shumë. Mund të ketë dy apo tri afrime në sulm sezonin e ardhshëm, kjo është goxha e qartë.

Por për Ronaldon kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtoni Erik ten Hagut”, tha 63-vjeçari për “Sky Sports”.

Në lidhje me dy ndeshjet e mbetura të sezonit, gjermani tha: “Është e rëndësishme që ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ta marrim këtë si motivim për sezonin e ri.

Shpresojmë të marrim sa më shumë pikë që të mundemi. Të gjithë lojtarët kanë diçka për të provuar, për tifozët, për veten e tyre. Madje, edhe nëse do të largohen, që të reklamojnë veten për klubet e tjera”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO


“Do të afrojmë 2-3 sulmues të rinj”, Rangnik: Për Kristiano Ronaldon vendos…. Ten Hagu

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook