Armando Broja është kthyer te Çelsi pas huazimit të Sauthempton dhe në Angli presin që trajneri Tomas Tuhel të marrë në konsideratë lojtarin i cili ka treguar se mund të luajë në nivelet më të larta të futbollit në këtë vend. Por përveç të tjerave, në Angli presin edhe që ai të qëndrojë pjesë e kësaj skuadre dhe me largimin e Romelu Lukakut, të tentojë që të thyejë një nga mallkimet e famshme të këtij klubi, atë të fanellës me numrin 9.
Që nga viti 1993, kur Premier Liga vendosi që fanellat të personalizoheshin në kampionat, kanë qenë 16 lojtarë të cilët kanë mbajtur fanellën me numrin 9 te Çelsi dhe pjesa më e madhe e tyre kanë rezultuar dështime ose janë paraqitur shumë larg standarteve të kërkuara.
Ata që mund të cilësohen të suksesshëm ishin Viali dhe Hasëllbenk, por në dy dekadat e fundit, thuajse të gjithë ata që kanë mbajtur atë fanellë kanë dështuar në mënyrë epike. Kezhman, Di Santo, Siduell, Falkao, Krespo, Morata, Higuain e padyshim së fundmi Lukaku janë ata të cilët dhanë shumë më pak se sa pritej prej tyre me këtë fanellë e cila në një periudhë filloi të evitohej nga sulmuesit aq sa një sezon e mbajti mbrojtësi Khalid Buhlaruz.
Tani, me afrimin e mundshëm të Brojës në ekipin e parë, shumëkush pret që djaloshi shqiptar të provojë të bëjë të vetën këtë fanellë. “Armando Broja ka shansin të rishkruajë historinë nëse i jepet mundësi”, shkruan portali “LastWordOnSports”, i cili gjithsesi thekson se sulmuesit shqiptar do t’i duhet që të përshtatë shpejt stilin e tij të lojës me kërkesat e Tuhel nëse synon që të mbetet pjesë e bluve përtej verës.
Arena e Lajmit
Loading…