Superpremio në Vlorë! Pasi siguruan kalimin në Kategorisë e Parë dhe morën kupën e Grupit B, te Flamurtari janë… tërbuar.
Pesë milionë lekë të vjetër për titullarët. Ky është shpërblimi më i madh që ka vendosur ndonjëherë kreu i klubit të kuqezinjve për këtë sezon.
Një shifër e padëgjuar më parë në Kategorinë e Dytë, por edhe në të Parën apo elitë nuk janë qenë ndonjëherë kaq dorëlëshuar. Nuk do të mbeten “thatë” as lojtarët e stolit, por do të marrin secili nga 3 milionë lekë të vjetër.
Administratori e humbi ceremoninë që u zhvillua pas ndeshjes me Devollin, pasi gjendej jashtë vendit për arsye pune. Por të dielën zbarkoi në qytetin bregdetar dhe direkt u ka komunikuar premion futbollistëve, duke i uruar edhe Fitër Bajramin.
Shpërblimi i majmë konfirmohet për “Panorama Sport” nga vetë Sinan Idrizi.
“Për ngjitjen në Kategorinë e Parë lojtarët kanë premio 5 milionë lekë. Kemi filluar shpërndarjen e shpërblimit. Unë i falënderoj shumë për arritjen e objektivit dhe për respektimin e fanellës”, u shpreh fillimisht numri një i klubit.
Edhe gjatë sezonit nuk kanë munguar premiot te kuqezinjtë.
Pas katër ose pesë fitoreve, klubi u ka shpërndarë nga 250 deri 500 mijë lekë të vjetër shpërblim.
KUPA E KATEGORISË
Por administratori nuk mjaftohet me kaq. Vendos premio edhe për titullin e Kategorisë së Dytë. Nuk e zbulon se sa do të jetë, por nëse skuadra do të fitojë të dielën përballë Luzit, ai paralajmëron:
“Do të ketë edhe një tjetër premio. Nëse do të fitojnë kupën e kategorisë, do të shpërblehen sërish. Se sa do të jetë shpërblimi po e lë surprizë”.
OBJEKTIVI DHE MERKATOJA
Sinan Idrizi përsërit sërish kodin katërshifror për të kapur sa më shpejt Superioren, ndërsa premton një merkato cilësore.
“Unë e kam thënë me kohë dhe do e përsëris, kodi ynë është… 2023. Prisni dhe shikoni. Për arritjen e objektivit dhe për ta çuar Flamurtarin ku duhet do të kemi një merkato cilësore.
Jemi në bisedime me lojtarë me shumë eksperiencë”, përfundon Idrizi.
– Arena e Lajmit