Hetimet e prokurorisë për tentativën e arratisjes së Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit, janë konsideruar të paplota, dhe për këtë shkak gjykata ka vendosur ta kthejë sërish çështjen në institucionin e akuzës. Në përfundim të hetimeve disa mujore, prokuroria e dërgoi dosjen për gjykim ndaj dy të pandehurve dhe argumentonte ndër të tjera, se ata bashkëpunuan në planin e arratisjes, ndonëse në momentin e fundit dështuan për t’u thënë lamtumirë qelive.
Ky argument nuk e ka bindur gjykatën, e për këtë shkak kjo e fundit vendosi ta kthejë çështjen për hetime të mëtejshme dhe t’i japë afat institucionit të akuzës deri më datë 20 maj. Përgjatë kësaj kohe prokurori i çështjes duhet të gjejë prova dhe të vërtetojë që dy të dënuarit bashkëpunuar mes tyre, ose në të kundërt ata do gjykohen për tentativën për tu arratisur, por pa patur si rrethanë rënduese bashkëpunimin.
Arbër Cekajt i dënuar për trafikimin e 613 kg kokaine kolumbiane dhe Fatmir Pjetri, pjesëtar i bandës së babagjyshëve, tentuan verën e vitit të kaluar të arratiseshin nga qelitë e burgut 313. Me çarçafët e thurur si gërshetë, mundën të zbvrisnin nga tarraca e burgut ku kishin dalë për ajrim në pjesën e shkallëve të administratës. Në momentin ku u pikasën nga policia, Fatmir Pjetri goditi punonjësin e policisë. Por ndërhyrja e gardianëve, bëri që ata të riktheheshin ne qeli. Administratori I kompanisë Arbri Garden dhe anëtari i bandës së babagjyshëve, kanë mohuar bashkëpunimin mes tyre, e pikërisht për këtë moment dosja po bën ecejake nga prokuroria në gjykatë e anasjelltas.
Arena e Lajmit