Zbardhen të tjera detaje nga vrasja e Xhani Topallit në Rodos të Greqisë, ku babë e bir akuzohen për ekzekutimin e 46-vjeçarit.
Të akuzuarit, që tashmë qëndrojnë pas hekurave, hotelieri 53-vjeçar dhe djali i tij 20-vjeçar kanë pranuar krimin dhe kanë rrëfyer krimin e rëndë. Ata deklaruan para togave të zeza se vrasja ishte aksidentale.
53-vjeçari pohoi se kishte punuar disa herë me shqiptarin, që merrej me ndërtim. Ndër të tjera ai tha se njëra nga vajzat e tij është shoqe klase me vajzën e 46-vjeçarit dhe ai e kishte marrë disa herë nga shkolla. Ndërsa siç deklaroi ai, janë ulur disa herë për të ngrënë së bashku.
Greku pohoi se në vitin 2019, Xhani Topalli kishte riparuar dhomat e hotelit të tij për të cilat duhej të merrte 100 mijë euro, ndërsa i kishte dhënë paradhënie vetëm 25 mijë euro. Për shkak të pandemisë që preku edhe industrinë e turizmit, në vitet 2020 dhe 2021, autori tha se puna nuk eci mirë dhe nuk mundi ta shlyente plotësisht.
Ai pretendoi se përveç shumës që i kishte borxh, kishte paguar edhe interesin. Autori i dyshuar tha se ditën e 28 gushtit të këtij viti viktima e ka telefonuar me qëllim që të firmosin deklaratat për projektin dhe të marrte para si paradhënie pasi ta nënshkruanin. Shqiptari i kërkoi të takoheshin, por për shkak se e kuptoi se ishte i dehur e shmangu dhe i kërkoi që të takoheshin të nesërmen.
I pandehuri ka pohuar se kur 46-vjeçari konsumonte alkool, bëhej nervoz, agresiv, shante dhe kërcënonte.
Sipas tij, viktima ka vazhduar t’i telefonojë dhe në një moment teksa ka qenë në panair i është përgjigjur telefonatës dhe për shkak se ishte nën efektin e alkoolit është treguar agresiv duke e sharë dhe kërcënuar.
Sipas tij shqiptari ishte i tërbuar, shumë i dehur, fikte e ndizte dritat e makinës, i binte borisë, bërtiste dhe shante. Ai la gruan dhe vajzat e tij në panair dhe nxitoi drejt biznesit. Me të mbërritur, ai është nisur drejt lokalit ku po priste 46-vjeçari dhe, siç e ka përshkruar ai, ka nisur ta shajë dhe kërcënojë. Autori pretendoi se tentoi ta qetësojë, por viktima u bë edhe më agresiv.
“Kapi djalin nga fyti. Im bir u përpoq t’ia largonte duart, por ai e goditi në fytyrë dhe më pas e goditi me grusht në brinjë”, deklaroi ai. 53-vjeçari pohon se kanë dalë në parking për t’u sqaruar dhe mes tyre ka pasur një sherr jashtë recepsionit përballë dhomave dhe kanë përfunduar në koshat e plehrave. Ndonëse i biri ka tentuar t’i ndajë, siç tregon autori, ky i fundit ka nisur të përleshet me shqiptarin, duke e goditur me grusht në kokë. Makina e tij ishte parkuar aty dhe në karrocë kishte një litar. Ai tregon se instinktivisht e mori, e kapi dhe ndërsa shqiptari ishte i trullosur, ia vendosi në qafë për ta neutralizuar.
Duke vijuar rrëfimin, në një moment ka ndjerë se viktima nuk po bënte më rezistencë, ndaj ka liruar litarin dhe 46-vjeçari ka rënë përtokë, me sa duket i ka rënë të fikët. Ai pretendoi se viktima ishte goditur me gurë në kokë gjatë rënies dhe pasi kishte parë se ai nuk kishte puls, kishte njoftuar të birin për vdekjen e shqiptarit.
Mes të tjerash ai tha se trupin e shqiptarit e kishte tërhequr zvarrë mes koshave të mbeturinave.
Arena e Lajmit