Ditët në vijim mund të jenë të vrullshme në aksin SpanjëAngli, më saktë në atë Barcelonë-Mançester-Londër. Çelësi i gjithçkaje është Frenki de Jong.
Mesfushori holandez i Barcelonës po kërkohet me mjaft ngulm nga trajneri i ri i “Djajve të Kuq”, Erik Ten Hag, i cili sheh tek ai organizatorin e duhur për lojën e Mançesterit.
Drejtuesit e Junajtidit e kanë pranuar për mediat angleze se janë në bisedime të avancuara me Barçën dhe vetë lojtarin, duke lënë të kuptohet se gjithçka do të zgjidhet në ditët e ardhshme.
Me shumë gjasa Frenki de Jong do të transferohet në “Old Trafford”. Barcelona në njëfarë mënyre është e interesuar për këtë lëvizje, pasi do të arkëtonte shumë në kufijtë e 80-85 milionë eurove aq të nevojshme për financat e klubit.
Veç kësaj ajo do t’u hapte rrugë edhe lëvizjeve të saj në merkato. Transferimi i mundshëm i De Jongut te Junajtidi do të shkaktonte një reaksion zinxhir.
Barça në dijeni të interesit të Junajtidit ka vendosur të aktivizojë motorët e saj për të afruar nga Mançester Siti mesfushorin Bernardo Silva. Portugezi ia ka shprehur dëshirën e tij Pep Guardiolës për t’u larguar nga “Qytetarët” e nga Premier, dhe Barcelona është gati t’i bëjë një vend.
Ajo që mbetet për t’u parë është oferta e Barçës për Bernardo Silvën. Oferta e duhur do të qartësonte dhe Sitin. Sipas atyre çfarë nënvizojnë mediat britanike është se Siti kërkon një shumë që rrotullohet nga 60 në 80 milionë euro për shërbimet e portugezit.
Tek Barcelona mendojnë për diçka më pak. Por gjithçka do të varet fillimisht nga shuma finale që Barcelona do të arkëtojë nga Junajtidit për transferimin e Frenki de Jongut.
Arena e Lajmit
Loading…