Qeveria tërhiqet nga strategjia afatmesme që parashikonte rritje taksash; Çfarë sjell ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat

Ibrahimaj

Viti që vjen nuk pritet të jetë i lehtë për ekonominë vendase.

Çmimet mbeten të larta, nuk dihet si do të shkojë situata me energjinë dhe çmimet, ndërkohë që qeveria është e detyruar që të ndjekë një politikë të shtrënguar fiskale për të ulur borxhin, teksa përballet me rritjen e normave të interesit për shërbimin e tij.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj, në një intervistë për “Monitor”, pohon viti 2022 është sfidues përsa i përket projektimit të buxhetit. Ajo shton se në buxhetin e vitit të ardhshëm janë mbi 13 miliardë lekë shtesë që lidhen me vendimet për rritjen e pagave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike. Ndërkohë për të amortizuar rritjen e normës së interesave dhe shtrirjen e këtij efekti në afatin e gjatë, për momentin financat janë përqendruar në emetimin e borxhit afatshkurtër.

Në 2021-n, deri tani qeveria ka shpenzuar 24 miliardë lekë për të subvencionuar energjinë dhe kanë mbetur edhe 4 miliardë lekë, që vlerësohen se janë të mjaftueshme deri në fund të vitit.

Ibrahimaj thotë se qeveria është tërhequr nga strategjia afatmesme e të ardhurave, që parashikonte disa rritje taksash dhe heqje përjashtimesh fiskale, pasi nuk është ky momenti i duhur. Ndryshimi më i madh vitin e ardhshëm është ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat, i cili parashikon ndryshimin e tatimit vetëm për subjektet fizike, që janë profesionistë të lirë.

Sa ka qenë deri tani mbështetja që është dhënë nga qeveria për energjinë?

Një nga politikat kryesore të qeverisë shqiptare gjatë këtij viti përsa i përket mbështetjes buxhetore në përballimin e krizës ka qenë mbështetja për rritjen e kostove të blerjes së energjisë elektrike. Ndonëse në periudha të caktuara çmimet e importit të energjisë elektrike janë rritur deri në 10-fish, qeveria shqiptare vendosi të mbajë të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike për konsumatorin dhe për pjesën më të madhe të bizneseve, që janë të lidhura me tension të ulët dhe në tension të mesëm. Kjo ishte pesha dhe barra më e madhe që buxheti i shtetit përballoi gjatë këtij viti. Deri tani janë injektuar në sektorin e energjisë elektrike 24 miliardë lekë dhe mbeten për u injektuar edhe 4 miliardë lekë të tjera, të cilat janë parashikuar në buxhet deri në fund të vitit.

Mbështetja për energjinë elektrike në fakt ka qenë një peshë e madhe për buxhetin, por nga ana tjetër ka qenë një lehtësim në kushtet e një krize ekonomike. Kjo ka bërë që buxhetet e familjeve të mos preken nga rrija e çmimeve të energjisë elektrike, duke ndikuar në mënyrë indirekte në konsumin total të popullatës. Nga ana tjetër, kjo ka bërë që kostot e prodhimit të mos rriten duke ndikuar në mënyrë indirekte në rritjen e çmimeve të konsumit, pra në inflacionin e përgjithshëm të vendit, i cili ka rezultuar më i ulët se vendet e rajonit dhe gjithashtu vendet e BE-së.

Çfarë do të ndodhë nëse do të duhen më shumë se 4 miliardë lekë deri në fund të vitit për të mbështetur energjisë?

Ne nuk parashikojmë që të ketë nevojë për një mbështetje shtesë, përveç atyre që kemi parashikuar deri në fund të vitit. Sigurisht kjo është e lidhur me kushtet klimatike, dhe me nivelin e reshjeve që do të bien, sigurisht dhe me çmimet ndërkombëtare të çmimit të energjisë elektrike, por në parashikimet tona të momentit ne kemi vendosur mbështetjen e duhur dhe do të përballojmë këtë vit me mbështetjen e parashikuar.

Qeveria është në proces të hartimit të buxhetit të vitit të ardhshëm. Cilat do të jenë prioritet e tij?

Viti i ardhshëm, sigurisht është sfidues për sa i përket projektimit të buxhetit. Nga njëra anë kemi peshën e vendimeve që sapo morëm për rritjen e pagave, për rritjen e pensioneve, për rritjen e ndihmës ekonomike, të cilat janë mbi 13 miliardë lekë, që janë shtesë në shpenzimet e shtetit për vitin e ardhshëm. Ndërkohë ka një pikëpyetje për çështjen e mbështetjes së energjisë elektrike. Ne kemi marrë disa masa qoftë për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike, duke parashikuar që vitin e ardhshëm prodhimi i termocentraleve lundruese në portin e Vlorës që do të përbëjë një mbështetje dhe një prodhim shtesë të energjisë.

Por nga ana tjetër duhet të shohim efektin e masave të e marra për sa i përket ndryshimeve të çmimeve të energjisë elektrike për fashën mbi 800 kWh, që ndonëse u shty edhe për këtë muaj, mund të merret në muajt në vijim,j pasi ndikon në konsumin e përgjithshëm, në shpenzimet e përgjithshme për energjinë elektrike dhe ndikon gjithashtu në mentalitetin e kursimit.

Cikli në rritje i normave të interesit po ndikon dhe në koston e shërbimit të borxhit të qeverisë. Si parashikohet efekti në buxhet?

Kostoja e borxhit sigurisht që do të jetë e rritur. Në fakt borxhi që merret tani ndikon më tepër kostot e borxhit për të gjitha vitet në vijim, pra nuk ndikon direkt kostot e borxhit për vitin e ardhshëm. Për momentin Ministria e Financave iu është përgjigjur nevojave dhe kërkesës së tregut, duke emetuar një numër më të lartë të bonove dhe obligacioneve afatshkurtër. Pra kostoja e borxhit do të ndikohet në masën që ne kemi shtuar financimin për instrumente afatshkurtër. Do të ketë një rritje në krahasim me vitin e ardhshëm. Ne ende nuk e kemi përfunduar projektimin e buxhetit për vitin 2023, por sigurisht do të ketë një rritje e cila do të vijojë edhe në vitet në vijim edhe nëse normat e interesat do të ngadalësohen në vitet 2024 apo 2025, pasi pjesa më e madhe e borxhit është në terma afatmesëm dhe afat gjatë.

Duke pasur parasysh që qeveria pritet të ndjekë një politikë të shtrënguar fiskale për të mbajtur borxhin nën kontroll, citë pritet të jenë elementët që do të nxisin rritjen ekonomike vitin e ardhshëm?

Ne do të vijojmë të kryejmë ato investime që janë prioritare dhe që janë të domosdoshme për nxitjen e ekonomisë. Ne kemi filluar disa procese të cilat do të vijojnë të japin nxitje në ekonomi. Këtë vit kemi vendosur të mbështesim sektorët prioritarë, të energjisë elektrike. Gjithashtu do të vijomë edhe me projektet infrastrukturore, pasi janë elemente kyç që do të ndikojmë jo vetëm vitin e ardhshëm por edhe në vitet në vijim, si psh projekti i Skavicës. Pritet që të fillojnë punimet për Marinën në Durrës, i cili është një projekt madhor që do të ndikojë në ekonominë e vendit. Pra ne do të vijojmë më projektet e mëdha infrastrukturore të cilat prej kohësh janë planifikuar.

Në politikat fiskale çfarë do të ndryshojë?
Gjatë vitit të ardhshëm planifikojmë që të fillojmë zbatimin të ligjit të ri të Tatimit mbi të Ardhurat, i cili është një element shtesë në drejtim të konsolidimit të financave publike dhe të reformës fiskale që ne tashmë kemi filluar prej vitesh. Por sigurisht do të jetë e lidhur edhe në bashkëpunim me disa procese të miradministrimit fiskal, qoftë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ashtu edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, me qëllim optimizmin e atyre instrumenteve që ne kemi aktualisht. Nuk do të vijojmë me strategjinë afatmesme të të ardhurave, pasi mendojmë që në një moment krize është e vështirë dhe e pamundur që të rrisësh taksat apo edhe të heqësh përjashtime të taksave duke qenë se duhet të kujdesemi për t’i dhënë frymë biznesit për të mos pasur ngadalësim të rritjes ekonomike.

Strategjia afatmesme
Nuk do të vijojmë me strategjinë afatmesme të të ardhurave, pasi mendojmë që në një moment krize është e vështirë dhe e pamundur që të rrisësh taksat apo edhe të heqësh përjashtime të taksave duke qenë se duhet të kujdesemi për t’i dhënë frymë biznesit për të mos pasur ngadalësim të rritjes ekonomike.

U krijua një paqartësi në draftin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Taksimi progresiv do të zbatohet vetëm për të vetë punësuarit, apo për të gjithë pronarët e subjekteve të vogla?

U krijua një amulli nga mos leximi i qartë i ligjit, dhe nën nenin e fundit të ligjit të dispozitave kalimtare kemi bërë të qartë që të gjitha politikat tona për përjashtimin e tatimit mbi të ardhurave deri ën vitin 2029 do të vijojnë dhe gjithashtu dhe përjashtimet e tjera përsa i përket sektorit të IT-së apo sektorë të tjerë që janë menduar të incentivohen nëpërmjet politikës fiskale. Nga ana tjetër ne do të eliminojmë nga ky përjashtim vetëm për kategorinë e personave fizikë, do të jetë një kategori e cila do të jetë e limituar për persona fizikë profesionistë të lirë. Ne jemi duke hartuar aktet ligjore, të cilat në momentin që ligji do të kalojë në qeveri do të jenë të disponueshme për publikun e gjerë.

Pra ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat nuk do të heqë përjashtimet që ne kemi për biznesin e mesëm dhe të vogël, por vetëm për personat fizike që janë profesione të lira.

Ligji i ri
Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat nuk do të heqë përjashtimet që ne kemi për biznesin e mesëm dhe të vogël, por vetëm për personat fizike që janë profesione të lira.

Qeveria tërhiqet nga strategjia afatmesme që parashikonte rritje taksash; Çfarë sjell ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook