“I bëj thirrje Presidentit të Serbisë që të…”/ Rama reagon për herë të parë për situatën në Veri: Kosova ka të drejtë të mbrojë sovranitetin territorial

Juykju

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me homologun e tij spanjoll në Tiranë, ka folur për herë të parë për tensionet e mbrëmjes së djeshme në Veriun e Kosovës.

Rama i ka dalë në mbështetje nismave të institucioneve të Kosovës, që siç tha ai “e kanë të drejtë dhe për detyrë të zbatojnë marrëveshjet bilaterale dhe të mbrojnë sovranitetin e tyre”.

Kreu i qeverisë ka dërguar edhe një mesazh të qartë në drejtim të Beogradit zyrtar dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç, duke kërkuar që të tërhiqen nga provokimet në Veri me grupe të caktuara.

“Kemi folur për Kosovë. Dihet që Spanja ka në pozicion të ndryshëm dhe tradicionalisht të palëvizshëm, për arsye që lidhen me vetë Spanjën, por që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe të drejtës së tyre. Sidoqoftë kemi diskutuar në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim tërësisht të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial, që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit dhe marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë për t’u zbatuar edhe jo për t’u diskutuar. Por përshëndesim edhe shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshje, gjë që u kërkua edhe nga Shtetet e Bashkuara përmes ambasadorit në Kosovë. I bëj thirrje autoriteteve në Beograd, Presidentit të Serbisë, që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi dhe asnjë lloj alibie me grupe të caktuara në Veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshje, që duhet të zbatohet për t’i dhënë më shumë besueshmëri bisedimeve mes dy vendeve”, tha Rama.

PJESE NGA FJALA E RAMES:

Na vjen jashtëzakonisht mirë dhe dëshiroj që publikisht ta falënderoj Pedron për mbështetjen pa rezervë të Spanjës në këtë proces, duke kujtuar që Spanja kishte një pozicion disi më të ngurtë sesa të tjerë, duke qenë në një farë mënyre më kërkuese dhe fakti që sot Spanja është tërësisht e angazhuar në mbështetje të këtij procesi dhe ka qenë një nga aktorët më të zëshëm për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është konfirmim i faktit që ne folëm me gjuhën e rezultateve konkrete.

Kemi një pritshmëri të lartë nga Presidenca spanjolle që do të udhëheqë BE-në në 2023 në hapje të një sezoni që është shumë i dëshiruar për ne se fillon me Spanjën, vazhdon me Belgjikën dhe më pas Hungarinë. Është treshja që ka përfunduar më shpejtësi negociatat për pranimin e Kroacisë në BE. Të treja janë të prirura të mbështesin Ballkanin Perëndimor në këtë proces transformimesh dhe integrimi historik.

Kemi folur për rajonin dhe nismat rajonale. Për mënyrën sesi ne mund ta integrojmë këtë proces nismash rajonale, me procesin që nis me idenë e komunitetit të ri politik europian, dhe pa e anashkaluar procesin e çdo vendi në kuadrin e integrimit në BE, të krijojmë sinergji të reja shumë më shpejt me rrjetin Europian. Siç bëmë me integrimin tonë në Sistemin e Emergjencave civile të BE, ku shohim reagim më të shpejtë për zjarret. Sigurisht edhe për energjinë. Siç jemi të integruar për të dënuar agresionin rus në Ukrainë, jemi të bashkuar për të sinerguar rrjetin e universiteteve tona në rajon me ato në Europë.

Këto situata nuk tregojnë që Ballkani i Hapur është i panevojshëm, apo është i gabuar. Këto situata nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit dhe dialogut është e gabuar. Këto situata tregojnë pikërisht pse ne kemi nevojë për këtë.

Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet Ballkani i Hapur dhe pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në Ballkanin e Hapur. Këto situata tregojnë që ka dy rrugë, rruga e kthimit mbrapa dhe luftës nga e cila nuk fiton më askush dhe rruga tjetër është ndërtimi i paqes. Unë jam me të parën dhe as mos prisni që unë të kem një opinion tjetër.

Me presidentin e Serbisë marrëdhënia miqësore nuk më pengon të ndahem aty ku nuk jemi dakord. Spanja ka arsyet e veta që ta lexojë ashtu siç e lexon marrëdhënien me Kosovën. Kjo nuk e pengon Spanjën që ne jemi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo nuk është një shprehje mosrespekti për mënyrën se si ne shqiptarët e shohim këtë çështje.

“I bëj thirrje Presidentit të Serbisë që të…”/ Rama reagon për herë të parë për situatën në Veri: Kosova ka të drejtë të mbrojë sovranitetin territorial

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook