Bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore, sekretari i përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri deklaroi sot se adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR është objekti i këtij komisioni. Ai tha se nuk ka emergjencë për të filluar punën, por se e mira do të ishte që procesi të çohej përpara.
“Objekti i komisionit zgjedhor është i përcaktuar qartë, që është adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR apo edhe çështje të tjera që ndikojnë në mirëadministrimin e zgjedhjeve. E rëndësishme është që ne të fillojmë këtë proces. Ne jemi të hapur që ta çojmë përpara këtë proces. E mira është që ky proces të fillonte. Nuk është se ka emergjencë apo nxitim pasi për zgjedhjet vendore kodi zgjedhor është më se i plotë, nuk ka asnjë vërejtje, asnjë problematikë që mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve vendore”, tha Gjiknuri.
Ai deklaroi më tej se për zgjedhjet e përgjithshme duhet disa ndërhyrje në kod për arsye se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar një dispozitë që ka të bëjë me pragun, apo me herësin për sa i përket listave të partive.
“Vota e emigrantëve është sanksionuar në kod, por meriton akte nënligjore dhe ka nevojë për një dakordësi si do realizohet vota në distancë. Janë çështje që janë të hapura për negociata. Nëse gjatë negociatave mund të dalin çështje të tjera mbetet për t’u parë, por objekti i komisionit të reformës zgjedhore është ky dhe është shumë i qartë”, u shpreh ai.