Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj ka pritur në një takim drejtorin e Qendrës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, Denion Meidani, i cili shoqërohej nga zyrtarë të delegacionit, z. Ermal Januri dhe znj. Fatlinda Smaliaj.
Në një status në faqen e tij në Facebook, Mehaj shkruan se gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në vend dhe rajon si dhe për tendencat e mundshme të individëve apo grupeve me sjellje radikale të cilët ndikojnë negativisht në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt.
“Parandalimi më i mirë i këtyre dukurive devijante në shoqëri, është përmes edukimit dhe promovimit të paqes dhe bashkjetesës mes të gjitha komuniteteve, duke respektuar të drejtat e secilit. Bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për të treguar sukses në parandalim”, shkruan ministri i Mbrojtjes së Kosovës.