Të dielën nuk e konfirmoi ndjesinë e tij me “San Siro”-n, por për sa kohë Milani fiton ai nuk e ka problem. Olivie Zhiru është i fiksuar pas fitoreve, por edhe me 10 objekte pa të cilat jeta e tij nuk do të kishte kuptimin që ka. I intervistuar nga “GQ”, sulmuesi kuqezi ka treguar dhjetë domosdoshmëritë e tij.
LLAKU – Shokët e skuadrës më tallin gjithmonë, sepse kur luaj, flokët i kam gjithmonë në rregull. Edhe pas ndeshjes ata duan të dinë se si është e mundur. Sekreti është një krehje me furçë me kokën e lagur, pastaj pak dyllë dhe më pas, për ta rregulluar, vendos pak llak (qesh). Ndonjëherë kur bëj shumë goditje me kokë, ato nuk qëndrojnë perfekte.
FEJA – Më ndihmon shumë çdo ditë që të eci përpara, të jem pozitiv. Jeta e Jezusit më frymëzon. Ai ka pasur shumë përulësi dhe përpiqem të bëj të njëjtën gjë çdo ditë, duke folur me familjen time për Biblën për t’i ndihmuar në jetë. Është shumë e rëndësishme për mua, është diçka që është pjesë e zemrës dhe e jetës sime.
PALESTRINAT – Janë pak të veçanta sepse kam gjithë familjen time: emrat e gruas dhe fëmijëve, numrin e fanellës sime dhe fotografinë e të gjithëve. Është diçka që më pëlqen shumë, kur vendos mbrojtëset e këmbëve para ndeshjes, të shoh fytyrat e fëmijëve të mi. Më jep më shumë motivim, gjithmonë mendoj për ta sepse më japin forcë.
TIRAMISUJA – E ha gjithmonë kur shkoj në restorant, gjëja e parë që provoj është të shoh nëse e kanë në meny. Më pëlqen të përfundoj një darkë të mirë me një tiramisu. Gjyshja ime e bënte të shijshme, mua më pëlqen shumë kur ka shumë kafe, ndërsa alkooli nuk më pëlqen. Ajo ëmbëlsirë më bën të mendoj për familjen, gjyshen, gruan time. Më kujton se jam pak italian në origjinë. Savoiardi apo pavezini? Preferoj biskotën savoiard sepse jam nga Savoja. Thith shumë kafe, për mua ndjesia është vërtet e këndshme.
LENTET – Kam lente që nga viti 2011. Është një gjë qesharake, e them sot për herë të parë para kamerave. Në sezonin e parë me Montpelienë nuk kisha lente. Kur miqtë dhe familja ime më panë në televizor duke i ndrydhur sytë, më thanë se mund të kisha një problem. Kështu që në sezonin e dytë shkova tek okulisti, i cili më pyeti se si ishte e mundur që të shënoja me atë shikim që kisha (qesh). Më këshilloi që të mbaja lente. Është qesharake sepse në sezonin e dytë fituam kampionatin dhe unë isha golashënuesi më i mirë falë okulistit(qesh).
KËPUCËT – Veglat e punës. Më pëlqejnë shumë këpucët e bukura, por duhet të jenë të lehta dhe komode. Masa ime është 44.5, aty janë të gjithë emrat e fëmijëve të mi dhe gjithashtu flamuri i Francës. Këpucët e stërvitjes mund të zgjerohen, ndaj preferoj të përdor të reja në ndeshje.
KAFEJA – Në mëngjes më duhen nja dy kafe që të zgjohem, është e vërtetë që në Itali e bëjnë të mirë: më pëlqen shumë, duhet të jetë edhe për këtë arsye që më pëlqen shumë tiramisuja. Sa pi në ditë? Trikatër kafe në ditë, nuk mundem të jetoj pa kafe.
ORA – Një tjetër gjë që më pëlqen shumë është koleksionimi i orëve. Më pëlqejnë markat e ndryshme, për mua është edhe investim. Në mëngjes kur vishem, nëse nuk kam orë, nuk ndihem mirë, ndihem sikur më mungon diçka. Më pëlqen shumë dhe më duhet të kem diçka në kyç ndaj e pranoj se jam i humbur kur nuk kam orë.
ÇELËSAT – Çelësat e makinës janë gjithmonë me mua. Jam një adhurues i madh i makinave sportive. Kur isha i vogël babai im kishte makina të bukura. Më pëlqen shumë edhe zhurma e motorit. Më jep të njëjtën ndjenjë si kur luaj futboll, adrenalinë të madhe. Nuk jam nga ata që ecin me shpejtësi, por kur mundem, kënaqem shumë në drejtimin e makinës.
TOPI – Është e gjithë jeta ime, që i vogël ishte gjëja që kisha gjithmonë me vete. Pas shkollës luaja në shtëpi, kundër murit, kundër portës: gjithmonë kam goditur një top. Mbaj mend që prindërit e mi nuk ishin shumë të lumtur, sepse ndonjëherë thyeja sende nëpër shtëpi. Topi ishte gjithmonë me mua dhe kështu vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite. Madje, fëmijët e mi luajnë në shtëpi çdo natë. Pas stërvitjes më duhet të luaj sërish me ta (qesh).
Arena e Lajmit