Zbulohet udhërrëfyesi i negociatave/ Ligji i Detit i jep Athinës në dorë “çelësin” për të bllokuar kur të dojë rrugën europiane të Shqipërisë, por ka një precedent që…

(Γ.Τ. Πρωθυπουργού/ Δημήτρης Παπαμήτσος)

Përparimi i Shqipërisë në bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian kushtëzohet mes të tjerave edhe nga ecuria e bisedimeve me Greqinë në lidhje me çështjen e detit.

Në pikën pesë të udhërrëfyesit të bisedimeve, që Gazetasi.al ka siguruar pas një kërkesë për informacion Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit Europian, përcaktohen kushtet që do të përdoren në vlerësimin e Bashkimit Europian të progresit të vendit, që përcaktojnë në vija të përgjithshme hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues.

Pika e parafundit e këtyre kushteve thotë: “…Shqipëria të ndërmarrë në përputhje me parimet e zgjidhjes paqësore dhe sipas parashikimeve të OKB-së dhe Konventës për Ligjin e Detit, përfshirë këtu, nëse do të jetë e nevojshme edhe njohjen e detyrueshme të vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjet e kufirit”.

Ky parashikim, mësohet nga burime diplomatike shqiptare se është përfshirë në udhërrëfyesin e negociatave me këmbënguljen e palës greke, i jep Athinës në dorë çelësin e bllokimit në çdo fazë të bisedimeve të anëtarësimit.

Parashikimi, mes të tjerave përcakton edhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë si institucioni për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe pikërisht dërgimi i çështjes në këtë gjykatë është ajo që Greqia po kërkon prej muajsh.

Aktualisht, ky hap nuk është hedhur ende dhe sipas një deklarate të bërë nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në fund të muajit maj, ajo mbahej e bllokuar nga Presidenti i kohës Ilir Meta, që nuk jepte autorizimin.

“Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin kryeministrit. Shqipëria do të zgjedhë presidentin e ri brenda dy-tre muajve dhe e gjithë kjo do të bëhet e realizueshme”, i përgjigjej kryediplomati grek pyetjes së gazetarit gjatë një interviste për mediat vendase.

Në rastin e Shqipërisë, udhërrëfyesi i bisedimeve ndërqeveritare nuk ka ndjekur të njëjtin standard si në të shkuarën. Për vende të tjera, zgjidhja e mosmarrëveshjeve kufitare mund të bllokonte hapin final, pra anëtarësimin, por jo progresin e negociatave.

Por, ka edhe raste kur mosmarrëveshje të tilla nuk janë bërë pengesë për anëtarësim. Shembulli është Kroacia. Kjo e fundit jo vetëm që nuk u pengua nga Sllovenia gjatë procesit të bisedimeve, por as kur u anëtarësua në BE, megjithëse dy vendet kishin pretendime për ujërat territoriale në Adriatik.

Çështja u dërgua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që vendosi në favor të Sllovenisë, një vendim që Kroacia sot nuk e njeh.

Ky mund të jetë precedenti se përse në rastin e Shqipërisë, Greqia ka vendosur një sërë pengesash. Së pari, Greqia ka të drejtën e bllokimit të vendit tonë që në fazën e bisedimeve dhe së dyti, përmes kushtit të vendosur në udhërrëfyes, detyron Shqipërinë që të njohë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të shmangur një rast si ai i Kroacisë.

Zbulohet udhërrëfyesi i negociatave/ Ligji i Detit i jep Athinës në dorë “çelësin” për të bllokuar kur të dojë rrugën europiane të Shqipërisë, por ka një precedent që…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook