Diego Longo nuk do të shkarkohet nga drejtimi i Kukësit, Ky është mendimi i presidenti të nderit të skuadrës verilindore, Safet Gjici, i cili pavarësisht lëkundjeve të pozitave të teknikut, e ka konfirmuar duke folur për “SuperSport”.
”Normalisht që jam pak i mërzitur, se sot duhej të kishim fituar me Partizanin, por sot nuk u arrit. Kur kam lëvizur trajnerin kam arritur objektivin, por kur kam qenë afër ekipit. Trajneri i huaj në Shqipëri do kohën e vet të ambientohet. Mesazhi që i kam dhënë është të mos merrte me deklarata që nuk kanë lidhje me ekipin, por të marrë përgjegjësitë, një trajner të marrë përgjegjësitë e veta për anën teknike.
Ky trajner do të mbyllë sezonin me Kukësin. Unë besoj shumë te çunat e ekipit, realisht ka pasur shumë dëmtime, por kjo nuk justifikon rezultatet që kishim në dy fazat e para. Po të mbante atë ekip, besoj se do të ishim ndryshe, edhe atë sistem loje. Unë do të kisha sugjeruar që të mos ndryshojë, se edhe ne kuptojmë futboll, nuk mbetet të vijë dikush nga jashtë të na tregojë si bëhet futbolli”, tha ndër të tjera Gjici.
“Ai është punëtor, por humb shumë kohë me gjëra që nuk i takojnë trajnerit, me deklarata që nuk kanë lidhje me rezultate. Ai duhet të merret me anën teknike të ekipit, ndërsa me anën organizative apo problematikat e tjera, se klubi paguan staf për këto problematika. Ky trajner, çfarë ka kërkuar kur ka ardhur deri më sot, i është plotësuar. Ka premtuar objektiva kampionat e kupë, por futbolli nuk është shkencë ekzakte. Uroj që të arrijmë në Ligën e Konferencës, objektivi i tretë, ka bërë shumë hapa fals. Jo të gjithë për faj të trajnerit, por edhe lojtarëve. Kohën e ka para, kalendari është i favorshëm. Por edhe ata janë në fushë e kanë ekip, si Vllaznia e ekipe të tjera, ne kemi lënë pikë me Egnatian e Kastriotin. Kemi bërë gjithë ato hapa fals, Partizani ishte 11 pikë pas nesh, erdhi, na barazoi e kaloi. E kujt është përgjegjësia? E klubit? E Safetit? Apo e atyre që e kanë drejtuar ekipin?
Nëse ka një trajner që nuk e ka shqetësuar askush, ky është. Ai ka presion nga mediat, por mediat kanë punën e vet, këto kanë qenë këshillat që i kam dhënë trajnerit. Trajneri të shohë rezultatet se ka marrë përsipër një investim madhor. Ka bërë një kontratë që paratë t’i merrte kur të dilte kampion e fitonte kupën, Nuk e besoja se mund ta bënte. Në dy fazat e para bëri shumë mirë dhe ne e dimë të gjithë dhe ajo më bëri që trajneri të vazhdojë, se edhe në tregun shqiptar nuk kemi shumë trajnerë që të marrin ekipin nga fillimi dhe të realizojnë objektivat që ka klubi. Ne jemi ku jemi dhe klubi ka qenë korrekt me ta, por kur flet për gjëra që nuk kanë lidhje me trajnerin, për anën teknike, ku eci puna, si eci apo jo. Unë e di që stërvitjen e ka bërë mirë, them se trajneri e stafi kanë përgjegjësinë për gjendjen që janë, por besoj se bashkë me klubin, me këtë kalendar që kemi, po t’i vlerësojmë ndeshjet e fitojmë të gjitha, besoj se arrijmë objektivin. Pastaj sa e arrijmë në fushë do e shohim ndeshje pas ndeshje.
Dje fliste që ekipin e kam gjetur në vendin e 6 e tani është në vend të tretë. Nuk mund ta thotë një trajner këtë. Historinë e Kukësit e njeh jo vetëm Shqipëria, por edhe Europa. Ndaj them se ai ndonjëherë është i nxituar e merret me gjera për të justifikuare humbjen që të merren të tjerët. Të thuash që nuk kishte drita ne dhomën e zhveshjes në 2 a 3 të drekës kur nuk duhen, nuk e kuptoj. Një profesionist nuk e bën, me këto merren ata që kanë për detyrë të merren. Një trajner profesionist merret me gafat e gabimet që bëhen në fushë”, vijoi ai.
Arena e Lajmit
![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)