Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është takuar në selinë e Kuvendit, me drejtues të opozitës parlamentare shqiptare dhe përfaqësues të partive minoritare.
Presidenti Begaj nënvizoi se mbështet plotësisht të drejtën legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në. Sipas tij dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm.
Kreu i shtetit nënvizoi si shumë të rëndësishëm dialogun dhe qëndrimin e përbashkët mes të gjithë faktorëve politikë në Kosovë për sfidat madhore me të cilat përballet vendi.
Drejtuesit e partive opozitare vlerësuan mbështetjen e Shqipërisë në rrugëtimin e Kosovës sikundër edhe vendimin e një dite më parë për furnizimin me energji elektrike.