Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me djegien e një makine gjatë natës në Sarandë. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:40 në lagjen nr.1 në vendin e quajtur “Rruga 4”.
BalkanWeb mëson se mjeti është në pronësi të shtetasit Edmond Duka, i cili ka punuar në IMT-në e Sarandës, ndërkohë që është bashkëshorti i ish-gjyqtares së shkarkuar nga vettingu, Nevrie Duka.
Nga të dhënat hetimore rezulton se zjarri në mjetin tip ‘Mercedes-Benz ML’ me targe AA410IY është i qëllimshëm. Kanë qenë banorë të zonës që kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikësen. Ndërhyrja ka shpëtuar djegien totale të mjetit. Si pasojë e flakëve ka marrë zjarr edhe një automjet i parkuar para Benzit, konkretisht mjeti Honda me targa zvicerane.
PRECENDETE TË NGJASHME QË LIDHEN ME DETYRËN
Një ish-zyrtar i IMT, një ish zyrtar i IKMT, një ish-Drejtor Aluizni, një noter, një ish-zyrtar i ASHK janë përballur ne 20 muajt e fundit me sulme me zjarr, eksploziv dhe mjete te forta ndaj pronave të tyre. Kështu hoteli i Mariel Muratit, ish-Drejtor i ALUIZNI është sulmuar dy herë me eksploziv në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022. Automjeti i Martin Arapi, aktualisht person në kërkim, ish-inspektor i IMT në Bashkisë Sarandë është djegur me zjarr në 7 maj 2021.
Në 6 qershor 2022 është djegur me zjarr zyra noteriale e Aleko Anagnostit, aktualisht në burg. Ne 3 gusht 2022, është shkatërruar me sende të forta dhe lyer me spray automjeti i ish-juristit të ASHK Sarande, Laert Pasha, i cili ndodhet aktualisht në burg. Ndërkohë me herët gjatë këtij viti është sulmuar me sende të forta dhe automjeti i ish zyrtarit të IKMT, Agron Tepelena.
Arena e Lajmit