Interi është një superfuqi në merkato, aty ku nuk po ndalet me përforcimet. Drejtuesit po bëjnë maksimumin e tyre për t’i vënë në dispozicion Simone Inzagit një skuadër konkurruese, të aftë të shkojë deri në fund të të gjitha kompeticioneve ku zikaltrit marrin pjesë.
Ato që kanë marrë të gjithë vëmendjen janë pa dyshim afrimet në repartin ofensiv, ku emrat i përkasin elitës së futbollit europian, por ajo që inkurajon më së shumti në Milano është në fakt mesfusha. Me Brozoviçin, Barelën e Çalhanoglunë u duk se një repart nuk mund të përmirësohej më shumë se kaq, por lëvizjet e fundit të drejtuesve i kanë dhuruar Inzagit shumë më shumë mundësi zgjedhjeje.
MIKHITARIAN – Kristjan Asllani është alternativa tek e cila Simone shpreson shumë, por deri atëherë grupit i është shtuar një veteran si Henrik Mikhitarian, i mbërritur ashtu si Çalhanoglu një vit më parë me parametër zero, duke synuar edhe vendin e turkut. Armeni ka qenë një nga faktorët kryesorë të Romës, sidomos në pjesën e dytë të sezonit me asiste dhe gola, dhe përveç kësaj është edhe një xhol për mesfushën, pasi kryen mjeshtërisht çdo pozicion të saj.
Jo vetëm kaq, por 33-vjeçari mund të bëjë edhe sulmuesin e dytë nëse do të jetë nevoja. Thënë këtë, Mikhitarian duhet të luftojë për të mbajtur rolin e tij natyral përballë turkut, një duel nga i cili Simone kërkon të marrë më të mirën. Pa dyshim që konkurrenca i bën mirë skuadrës, por mbi të gjitha trajneri do të ketë nevojë që të ketë opsione që t’i mundësojnë rrotacionin aq shumë të nevojshëm në kalendarin e ngjeshur.
FANTAZIA – Aftësia për të depërtuar dhe për të marrë qendrën e zonës duke tentuar edhe goditjet është një tipar që tekniku zikaltër e vlerëson shumë, por mbi të gjitha ai vlerëson dozat e fantazisë që i shton ekipit ishverdhekuq. Kur Interi të tërhiqet dhe të tentojë rinisjen në sulm, falë edhe një sulmuesi si Lukaku, do të jetë pikërisht aftësia e armenit për të ndryshuar marsh ajo që pritet të bëjë diferencën.
Kurioziteti i madh mbi Mikhitarianin që përveç cilësisë sjell edhe shumë eksperiencë, nuk zbeh rëndësinë e Çalhanoglusë, protagonisti i këtij sezoni. Qëllimi i Inzagit nuk është të zëvendësojë turkun, përkundrazi të ketë një të dytë si ai për t’i dhënë Interit një alternativë luksi.
Arena e Lajmit
Loading…