EKSKLUZIVE/ “Babatunde i Laçit”, Shpëtim Duro: Më duhet një mesfushor, ja si kalohet Iskra

Laçi duket prapa me përforcimet, por trajneri Shpëtim Duro po i merr më të mirën grupit që ka. Këtë e tregojnë edhe dy miqësoret e zhvilluara së fundmi, ku kanë fituar ndaj dy skuadrave kosovare që marrin pjesë në Ligën e Konferencës, 2-1 ndaj Gjilanit dhe 2-0 ndaj Llapit. Por sikur të mos mjaftonin boshllëqet e lëna nga largimet, Laçi merr një tjetër goditje në mesfushë, ku Klinti Qato ka dëmtuar gjurin dhe do të mungojë rreth 6 muaj.

Duro Laci

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Duro pohoi se është i kënaqur nga përgatitjet e skuadrës, por i mërzitur nga dëmtimi i Qatos. Trajneri kryeqytetas ka besim se mund t’ia dalë ndaj malazezëve të Iskrës edhe me grupin që ka dhe për momentin kërkon vetëm një përforcim, një zëvendësues për mesfushorin Qato.

Duro sqaroi edhe situatën e nigerianit Majkëll Babatunde, të cilin e quan pjesë të Laçit, por duke qenë se ka kohë pa luajtur, do të ingranohet gradualisht. Dëshira e merkatos së Shpëtim Duros ka qenë Lorik Boshnjaku, i cili është bërë pjesë e Vllaznisë. Trajneri 62- vjeçar tregon edhe arsyen pse nuk guxuan për Boshnjakun, për të cilin thotë se shkodranët kanë marrë një lojtar të jashtëzakonshëm.

Keni fituar ndaj dy skuadrave kosovare që marrin pjesë në Europë, Gjilani dhe Llapi. Sa i kënaqur jeni me përgatitjet dhe çfarë ju shqetëson për momentin te Laçi?

Jam i kënaqur me përgatitjet. U mërzitëm se Qato ka marrë dëmtim të rëndë në gju dhe pritet të mungojë rreth 6 muaj. Kjo goditje na vjen pikërisht në repartin ku kishim problem pa filluar fazën përgatitore. Dëmtimi i Qatos na prishi shumë punë, pasi e thashë se luante në repartin ku kishim deficite.

Me ekipin po përgatitet një mesfushor me CV të pasur, Majkëll Babatunde. A do të jetë nigeriani pjesë e Laçit?

Babatunden patjetër që do ta mbajmë sepse është lojtar me potencial dhe eksperiencë. E vumë re në dy miqësoret që zhvilluam, për aq sa u aktivizua. Ka një kohë të gjatë pa u aktivizuar dhe gradualisht do ta ingranojmë me skuadrën, pasi bëhet fjalë për një lojtar me cilësi dhe e tregon se ka qenë futbollist i një niveli të lartë.

Mesfushorin nigerian mund ta aktivizoni në dy ndeshjet ndaj Iskrës?

Mund ta përdorim pak, pasi, siç e sqarova, ai nuk ka ritmin e ndeshjeve. Duhet të kemi kujdes dhe ta përdorim gradualisht.

Besoni se do t’ia dilni ndaj malazezëve, që në miqësoret verore kanë pësuar disfata, madje edhe me rezultat të thellë?

Të shikojmë si do të rrjedhë situata, por për të arritur suksesin duhet vlerësim maksimal të kundërshtarit, duke mos u ndikuar nga ajo çfarë kanë bërë në këtë periudhë përgatitore.

Ndaj Iskrës do të përdorni vetëm grupin që keni pasur në këtë periudhë apo prisni edhe ndonjë goditje tjetër?

Dëshira ime pas ikjes së Juljan Shehut ka qenë Lorik Boshnjaku, të cilin e mori Vllaznia. Këtë lojtar e kam pëlqyer që para tri sezonesh.

Pse nuk e morët ju Boshnjakun te Laçi apo Vllaznia i ofroi më shumë?

Boshnjaku ishte një ide imja që para dy muajsh, por mendova se nuk do të lëvizte nga Prishtina. Vllaznia, si duket, i ka pasur kontaktet më të avancuara. Ne si klub nuk kemi pasur kontakte direkte me lojtarin, vetëm ka qenë një ide imja dhe një bisedë me një personazh të futbollit në Kosovë. Gjithnjë isha me idenë se nuk do të lëvizte nga Prishtina, pasi konsiderohej si “flamur” i këtij klubi. Po Vllaznia sigurisht është treguar më e shkathët, ka hyrë në bisedime dhe për mua ka marrë një lojtar jashtëzakonisht të mirë.

Ndonjë afrim konkret prisni para Iskrës dhe ku keni nevojë për përforcime?

Më duhet vetëm një lojtar që të luajë para mbrojtjes, ku na u dëmtua edhe Klinti Qato. Kemi parë dhe monitoruar disa elementë, por nuk po bindemi për të gjetur lojtarin e duhur. Për momentin më duhet vetëm një lojtar për këtë rol, pasi me pjesën tjetër duket se jemi në rregull.

ILIR CARA – Arena e Lajmit


Loading…

EKSKLUZIVE/ “Babatunde i Laçit”, Shpëtim Duro: Më duhet një mesfushor, ja si kalohet Iskra

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook