Kreu i PD Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me ekspertë për situatën në vend, lidhur me rritjen e çmimeve dhe krizën ekonomike.
“Ju falënderoj për praninë në këtë bashkëbisedim. Kemi zgjedhur këtë format për të diskutuar probleme themelore me të cilat përballet shoqëria jonë. Ne duhet të përgatitemi për përgjigjen më të mirë të kësaj problematike të madhe me të cilën përballet sot Shqipëria. Probleme themelor me të cilin përballen shqiptarët, është varfërimi i frikshëm në rritje. Kjo është gjëja më evidente dhe këtë e tregojnë të gjithë treguesit. Në rast se në 2013 ishim vendi me rroga dhe pensione më të larta sot ndodh e kundërta”, tha Berisha, duke shtuar: “Atyre që vijnë pas nesh u lamë një borxh të tmerrshme dhe një të ardhme shumë të pasigurte dhe shkaqet e kësaj situate janë komplekse. Por disa janë të qarta. Çdo shqiptar duhet të pyesë veten përse varfërohemi. Unë nuk di një vend të dytë në pasuri natyrore më të pasur se Shqipëria. Por pasuritë natyrore janë kthyer në një mallkim për qytetarët. I tillë ishte edhe gjendja në sistemin kolonial. Ata pasuroheshin për vete dhe qytetarë varfërohen.”