“Me fitoren ndaj Tiranës hodhëm hapin drejt Europës”, Duro: Disa lojtarë largohen, Egnatia duhet respektuar

Laçi ndihet i qetë pas fitores me Tiranën, pasi kurbinasit janë thuajse “të blinduar” në vendin e dytë, duke e siguruar biletën europiane edhe nga kampionate, ndonëse janë edhe finalistë të Kupës. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” në prag të transfertës së Rrogozhinës, trajneri Shpëtim Duro foli për rëndësinë e suksesit ndaj bardhebluve, gjendjen e skuadrës para Egnatias dhe çfarë pritet nga bardhezinjtë deri në fund të kampionatit. Trajneri Duro deri diku pranoi edhe zërat e merkatos, ku disa nga titullarët e Laçit pritet që të largohen, pasi u ka mbaruar kontrata. Gjithsesi, Duro pohoi se ekipi i tij ka alternativa, si dhe drejtuesit kanë nisur punën për afrimin e disa lojtarëve cilësorë, si nga tregu vendas dhe i huaj.

SHPETIM DURO

Pjesëmarrjen në Europë thuajse e keni siguruar nga kampionati pas fitores me Tiranën. Sa e ndihmon kjo gjë Laçin për javët e mbetura?

Fitorja me Tiranën ishte shumë e rëndësishme. Me këtë trepikësh kemi hedhur një hap të rëndësishëm për sigurimin e pjesëmarrjes në Europë përmes kampionatit. Por, si ekip nuk duhet të humbim përqendrimin deri në javën e fundit të kampionatit.

Tani përballeni me Egnatian në transfertë. Si e keni gjendjen e skuadrës dhe çfarë prisni nga ky takim?

Skuadra është totalisht e plotë, nuk kemi asnjë mungesë. Kemi një ndeshje ndaj një ekipi që kërkon respekt maksimal. Egnatia është një skuadër, që për mendimin tim është ndër të paktat që këtë sezon ka bërë investim maksimal si në infrastrukturë dhe organikën e lojtarëve. Sinqerisht, në fillim të kampionatit kam menduar se Egnatia nuk do të ishte në këto situata duke u përfshirë në zonën “play out”. Por, si shumë skuadra të tjera, edhe ata kanë dalë jashtë parashikimeve.

A e ka nisur klubi punën për merkaton e verës, pasi disa lojtarë të Laçit përflitet se janë pranë largimit, meqenëse kanë oferta apo kanë firmosur parakontrata?

Ne jemi të vetëdijshëm për situatën e 2-3 futbollistëve që mund të largohen, sepse u mbaron kontrata. Janë lojtarë të rëndësishëm, por gjithmonë kemi alternativa që ne i aktivizojmë dhe i kemi në përbërje të skuadrës. Njëkohësisht po punojmë edhe për afrimin e 2-3 futbollistëve cilësorë.

Afrimet i prisni nga tregu vendas apo i huaj?

Jemi duke bërë përpjekje si në tregun vendas dhe të huaj për të forcuar ekipin.

ILIR CARA – Arena e Lajmit


“Me fitoren ndaj Tiranës hodhëm hapin drejt Europës”, Duro: Disa lojtarë largohen, Egnatia duhet respektuar

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook