Pavarësisht se pritej që historia më e nxehtë e merkatos së kësaj vere të ishte ajo e transferimit të Mbapesë te Reali, po rezulton të jetë ajo e transferimit të Robert Levandovskit te Barcelona. Katalanasit kanë bërë deri tani 3 oferta për ta transferuar sulmuesin 33-vjeçar nga Bajerni i Mynihut, por gjermanët kanë rezistuar dhe nuk duan të privohen nga shërbimet e sulmuesit kryesor të tyre, i cili ka edhe një vit kontratë në Mynih.
Polaku po bën presion për të lënë klubin, por presidenti i nderit të Bajernit, Uli Hënes, përsëriti se Barcelona duhet t’ia kursejë vetes ofertat e mëtejshme dhe të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe drejtuesit Oliver Kahn dhe Hasan Salihamixhiç. Pak orë pasi spanjollët bënë ofertën e fundit 40 milionë euro plus bonuset, Levandovski dhe trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, janë parë të hyjnë në të njëjtin restorant në Ibiza. Ata po i kalojnë pushimet në të njëjtin vend dhe u fotografuan ndërsa hynin në restorantin “Lio”, por në momente të ndryshme dhe të shoqëruar nga miq personalë.
Pavarësisht zërave se mund të jenë takuar në ambientet e brendshme, burimet e mediave spanjolle këmbëngulin se gjithçka ishte aksidentale dhe nuk ka pasur një takim për të diskutuar merkaton. Nuk është një sekret që Ksavi e ka numrin 9 të Bajernit objektivin e tij kryesor të merkatos, ndërsa Levandovski ka përsëritur gjatë këtyre javëve se ai nuk dëshiron më të luajë për Bajernin, por preferon një aventurë të re në La Liga me gjigantët katalanas.
Arena e Lajmit
Loading…