EKSKLUZIVE/ “Fillojmë një cikël të ri me Tiranën”, Ismajlgeci flet si kapiten: Dua të shënoj si në Tbilisi

Marsel Ismajlgeci është kapiteni i ri i Tiranës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, “Geci”, i cili ka dalë nga akademia bardheblu, rrëfen emocionet e të qenit kapiten i skuadrës dhe faktin që shpreson që Batha e Hoxhallari të kenë hequr “këmbën zvarrë” që edhe ai të largohet nga Shqipëria, pas një viti me shiritin në krah.

ISMAJLGECI 1

Kapiteni i ri analizon Dudelanzhin dhe pranon që skuadra mund të ketë nevojë për përforcime. Djaloshi që luan në krahun e majtë, herë si mbrojtës dhe herë si sulmues djathtas, ka shënuar golin e fundit në Champions ndaj Dinamos së Tbilisit.

Sezonin e shkuar në këmbët e tij kishte 32 takime dhe më shumë se 2456 minuta lojë, dy gola dhe dy asiste. Marsel Ismajlgeci është produkt i akademisë së Tiranës. Edhe këtë janar u fol për një largim të tij, por ende nuk është materializuar ndonjë gjë konkrete.

Marsel, jeni kapiteni i ri i skuadrës. Diçka e veçantë, sepse ju jeni shumë i ri në moshë…

Është fantastike që në moshën që kam unë të jesh kapiten i ekipit më të madh në Shqipëri, është privilegj i jashtëzakonshëm. Një ndjenjë shumë e madhe.

Si duket që të jesh kapiteni i skuadrës që ka më shumë tituj se vitet e tua apo djem që janë më të mëdhenj në moshë?

Diçka e vërtetë. Unë jam rritur në akademinë e Tiranës. E di që çdo lojtar që vjen nga akademia në skuadrën e parë është i privilegjuar. Përgjegjësia për mua është shumë e madhe dhe akoma më shumë të jesh kapiteni i Tiranës.

Stërviteni prej 22 ditësh. Si shkoi faza përgatitore që u zhvillua në Turqi?

Faza ka shkuar shumë mirë. Nuk patëm fare shqetësime. Kemi bërë lojëra të mira në ato miqësore që zhvilluam në tokën turke. Në fund i kemi idetë të qarta se çfarë do të bëjmë në fushën e lojës në këto dy ndeshje në Champions League.

Dihet tashmë që ju e keni analizuar kundërshtarin. Si e shihni Dudelanzhin si ekip?

Është një skuadër për të mos u nënvlerësuar. Me atë që kemi parë janë ekip shumë i mirë dhe luajnë fort, sidomos në fushën e tyre. Ne, nga ana jonë, do të japim maksimumin në fushë për t’u kualifikuar në fazën tjetër të Champions-it.

Skënderbeu është një shembull. Mund t’ia dalë kjo skuadër që të fillojë një cikël? Po përse jo?

Ne e kemi kapacitetin që të fillojmë një cikël të ri në ekipin e Tiranës. Jemi kampionët dhe duhet të jemi të tillë edhe në sezonet në vazhdim.

ismajlgeci

Tiranës i janë larguar disa lojtarë. Mendoni se jeni të plotësuar në organikë?

Duke parë gjendjen e skuadrës, jam i një mendimi me trajnerin. Duhen disa përforcime. Ndoshta na duhen dy-tre lojtarë të rinj për grupin.

Ju jeni lojtari i fundit që keni shënuar në Champions League me Tiranën. Keni qenë në Tbilisi atëherë…

Me shpresë të Zotit dua që të shënoj gol. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme.

E di që dy kapitenët e fundit të Tiranës, sapo morën shiritin në fund të sezonit, gjetën një ekip në Europë?

Shpresoj që të ndjek edhe unë hapat e tyre. Ndoshta pas kampionatit edhe unë do të stabilizohem në një skuadër jashtë vendit.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit


Loading…

EKSKLUZIVE/ “Fillojmë një cikël të ri me Tiranën”, Ismajlgeci flet si kapiten: Dua të shënoj si në Tbilisi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook