Në një reagim në Facebook, Jorida Tabaku është shprehur se kryeministri Edi Rama ofron taksat dhe sigurinë e shqiptarëve me koncesion.
“Përtej kostove të larta që pritet të ketë në buxhet, kostove të larta që do të ketë për bizneset i shtohet dhe një rrezik tjetër; siguria e të dhënave të biznesit.”, shprehet Tabaku.
Reagimi i plotë:
Rama ofron taksat dhe sigurinë e shqiptarëve me koncesion
Një koncesion prej 15 mln euro dhënë me paracaktim një kompanie kroate nisi hapin e parë të Fiskalizimit. Kur qeveria e mbronte këtë koncesion, kam paralajmëruar që kostoja do t’i shkojë biznesit dhe për rrjedhojë qytetarëve.
Kur buxheti 2022 po diskutohej në komision ngrita shqetësimin për PPP/koncesionin për “Çelësat elektronikë” që qeveria i ka miratuar si koncesion. Kjo do të thotë që tanimë çelësat elektronikë do të jepen me koncesion me vlerë tek 4,5 mln euro që do të dalin nga buxheti i shtetit, pra taksat e shqiptarëve.
Kështu ndërsa kriza energjitike pritet të mbulojë edhe Shqipërinë, ndërsa kriza e çmimeve ka prekur familjet shqiptare qeveria vazhdon avazin me PPP-të.
Përtej kostove të larta që pritet të ketë në buxhet, kostove të larta që do të ketë për bizneset i shtohet dhe një rrezik tjetër; siguria e të dhënave të biznesit.
Qeveritë Rama kanë një historik negativ në lidhje me koncesionet/PPP, rasti inceneratorëve ku tre inceneratorë i janë dhënë 1 kompanie offshore, rasti i dështuar i koncesionit të TVSH-së (me një tjetër kompani offshore) janë disa shembuj domethënës për të dëshmuar “përgjegjshmërinë” e kësaj mazhorance dhe qeverie.
Pra, nuk do ishte habi për askënd nëse fituesi do të ishte ndonjë kompani offshore që më pas do manaxhonte të gjitha të dhënat e bizneseve. Por edhe nëse nuk do të ishte një kompani offshore apo e papërcaktuar në pronësi, kush siguron bizneset që do të ruhen informacionet e tyre sekrete?
Një qeveri e cila ka në kurriz skandalin e patronazhistëve? Një qeveri e cila ka në kurriz skandalin e pagave apo të targave?
Sikur asgjë tjetër të mos kishte, që në fakt ka edhe më shumë se kaq, vetëm këto dy momente do të ishin të mjaftueshëm për të ndaluar çmendurinë e dhënies me PPP/koncesion të çelësave elektronikë për çdo biznes. Pra literalisht për të hapur dyert e biznesit tuaj për një palë të tretë që di gjithçka.
Praktikisht kjo e Ramës është dhënia me koncesion me taksat e shqiptarëeve të sigurisë së bizneseve në kushtet ku kjo qeveri njihet si kampione e korrupsionit në rajon dhe më gjerë.