Trajneri i Kastriotit, Emiljano Çela, është i bindur se skuadra e tij do të vazhdojë ecurinë e rezultateve pozitive edhe në transfertën e sotme në Korçë. Në një prononcim për “Panorama Sport” përpara ndeshjes me Skënderbeun, Çela theksoi se nuk bën llogari për Europën.
“Patjetër që jam optimist, pasi tani Kastrioti ka gjetur vazhdimësinë. Jemi bërë një ekip i ekuilibruar, kemi shtatë ndeshje që marrim fitore pas fitoreje.
Gjithsesi, jam shumë i kënaqur me stabilitetin në ekip dhe fakti që pësojmë pak është një shenjë e mirë. Nesër (sot) luajmë ndaj një ekipi që për mendimin tim është shumë i mirë.
Më vjen keq që Skënderbeu është në të tilla pozita. Mendoj që nuk e meritonte, me cilësinë dhe grupin që ka, që të shkonte deri në këto pozita. Por, futbolli i tillë është.
Një moment ekipi kalon periudhë të keqe dhe nuk gjen dot më forcën që të ngrihesh dhe ndodh ajo që ka ndodhur”, u shpreh fillimisht trajneri Çela.
Më pas trajneri i Kastriotit ka folur për ecurinë e skuadrës dhe deri ku mund të arrijnë pas shtatë fitoreve radhazi. “Shkojmë në Korçë më të qetë, pasi objektivat tanë i kemi realizuar.
Këta çuna kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Jam shumë i lumtur, të mendosh ku ishim dhe ku jemi tani. Patjetër që duhet të ndiejmë sërish uri, të bëjmë mirë, pse jo të shkojmë të fitojmë e të vazhdojmë me rezultatet pozitive.
Le të zbulojmë deri ku janë limitet tona.
Objektivi ynë është ai që ka qenë që në fillim, ndeshja e radhës, të fitojmë ndaj çdo ekipi. Pastaj se ku dalim në fund, atëherë i bëjmë llogaritë”, përfundoi trajneri i skuadrës krutane, Emiljano Çela.
– Arena e Lajmit