Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 5”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve, ndërsa në pranga ra një 34-vjeçar.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi Sokol Ponari.
NJOFTIMI I POLICISE
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në DVP Tiranë.
Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar 5 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Procedohen penalisht edhe 5 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 5”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. P., 34 vjeç, banues në Tiranë.
34-vjeçari është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Princ Vidi”, duke transportuar me një automjet, 5 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar transportimin nga Tirana në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 5 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.