Luiza Gega është detajiste dhe ndonjëherë medaljet e arit nuk “mjaftojnë” për ta kënaqur plotësisht. “Jam e lumtur pa dyshim për medaljen që mora, por mund të kisha bërë më mirë. Nuk arrita të koordinohesha me trajnerin gjatë kohës sepse nuk i dëgjoja udhëzimet e tij prej zhurmës”, thotë për “Panorama Sport” kampionia e atletikës, që dje nderoi sërish Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare, duke fituar medalje ari me rekord kombëtar dhe mesdhetar në 3000 metra me pengesa.
Luiza, u duk shumë “e thjeshtë” medalja këtë herë në raport me vështirësitë që keni hasur në kompeticione të tjera?
Nuk ishte e thjeshtë, më besoni. Kisha një atlete tuniziane që ishte vërtetë e mirë. Natyrisht, unë e dija që isha favorite për të fituar, por nuk ka gjëra të thjeshta në sport. Jam në formë të mirë sepse kam punuar shumë dhe në mënyrë sistematike. Megjithatë, mund të kisha bërë diçka më mirë se kaq.
Në ç’kuptim?
Mund ta kisha shkurtuar edhe më shumë kohën. Unë kam fituar edhe në Lojërat Mesdhetare të Tarragonës. Këtë herë doja të kisha një kohë më të mirë se ajo që arrita, por e humba për gjysmë sekondi.
Çfarë ndodhi?
Gjatë garave të tilla e kam të rëndësishëm komunikimin me trajnerin sepse më tregon kohën gjatë gjithë garës. Këtë herë nuk e dëgjoja dot. Kishte shumë zhurmë, sepse në të njëjtën kohë që unë garoja kishte sportistë të disiplinave të tjera që po garonin dhe ishin sportistë vendës. Publiku ishte shumë i ekzaltuar dhe kishte një zhurmë të tmerrshme. Nuk u koordinova dot me kohën sepse nuk e dëgjoja trajnerin. Më vjen keq për këtë, sepse as nuk arrija ta shikoja trajnerin ku ishte gjatë garës. Për koincidencë edhe tunizianët e kanë flamurin me ngjyra të kuqe. Shumica e njerëzve poshtë në pistë ishin me ngjyra të kuqe. U mërzita pak, por gjithsesi jam krenare për arritjen.
Çfarë objektivi keni tani?
Pas dy javësh do të garoj në kampionatin Botëror. Natyrisht, dua që të arrij në finale dhe të përmirësoj kohën time edhe këtej. Do të jetë e vështirë, sepse përveç dy kenianeve shumë të mira që garojnë për vendin e tyre, janë edhe dy keniane të tjera që do të garojnë me Kazakistanin. Nuk do të jetë e lehtë, por unë do të bëj maksimumin.
Po në Europian?
Europiani është pas një muaji e gjysmë. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë dhe jam besimplotë se edhe aty do të bëj mirë, por t’ia lëmë kohës.
Arena e Lajmit
Loading…
Loading…