Ngelen ende mister shkaqet dhe rrethanat se si humbi jetën 32-vjeçari Lear Kurti. Ngjarja ndodhi para pak mesnate në komisariatin nr.3, pasi shoqërimit të tij në këto ambiente. Gazetari Igli Çelmeta raportoi në një lidhje live dinamikën e ngjarjes, ndërsa pohoi se policia ende nuk ka dalë në një konfirmim zyrtar mbi ngjarjen.
Ndonëse si fillim u pohua nga ana e AMP-së se i riu ishte nisur drejt spitalit pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore, burime zyrtare nga spitali i Traumës konfirmuan për Çelmetën se 32-vjeçari kishte mbërritur i vdekur në spital. Sipas tij, në raste të tilla, spitali nuk bën këqyrjen e personave që vijnë të pajetë në këtë institucion të kujdesit shëndetësor, por trupi i kalon morgut për ekspertizë mjeko-ligjore.
Ndërkohë, gazetari ka arritur të komunikojë dhe me babain e viktimës, i cili pohoi se ende nuk e dinë se si ka ndodhur ngjarja, ndërsa e mësoi lajmin kur djali kishte ndërruar jetë. “Nuk e di si ka ndodhur ngjarja. Isha në shtëpi kur u njoftova. S’dimë asgjë nga policia.”, tha babai.
Nga dyshimet paraprake, mendohet se i riu ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak.
Arena e Lajmit