EKSKLUZIVE/ Me gomone drejt Italisë, babai i Asllanit: Ju tregoj si u transferua te Interi (E PLOTË)

Ndonjëherë në Shqipëri i duam gjërat shpejt dhe thjesht. Pastaj kur sheh Kristjan Asllanin që 20 vjeç shkon tek Interi, atëherë “bindja” shtohet: “Ja, shiko sa shpejt i kapi majat ai djali…” Mirëpo nuk është kështu. Përkundrazi, Asllani ashtu si edhe mijëra futbollistë të tjerë që kanë mundur të luajnë në nivele të larta, kanë sakrifikuar shumë për të arritur aty. 

GENTJAN DHE KRISTJAN ASLLANI

Gentian dhe Kristjan Asllani

Mbi të gjitha, familjet e tyre. Vetëm prindërit e një sportisti e dinë se çfarë sakrificash bëjnë derisa fëmija i tyre të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare. Rasti i Kristjan Asllanit është një shembull frymëzues për mijëra të rinj, sepse biri i një emigranti të thjeshtë nga Elbasani sot është pjesë e një prej klubeve më të rëndësishëm në skenën europiane.

“U largova nga Shqipëria me gomone në vitin 2001. Im bir lindi një vit më pas, më 9 mars, atëherë kur ka ditëlindjen edhe klubi i Interit. Koincidencë e bukur. Por kurrë nuk e kisha menduar se një ditë do të mbërrinte kaq lart”, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Gentjan Asllani, babai i mesfushorit të Kombëtares shqiptare.

Z.Asllani, pse hezituat kaq shumë për të folur me ne?

Intervistat nuk i kam shumë qejf sepse ndonjëherë duket sikur kemi kapur qiellin me dorë.

Pse a nuk është si të kapësh qiellin me dorë kur djali shkon tek Interi…?

Është gëzim i madh, por kjo nuk do të thotë të humbim thjeshtësinë.

Kemi tentuar të flasim edhe me Krtistjanin, por ai ka qenë shumë i ngarkuar këto kohë…

E vërtetë. Duhet të na mirëkuptoni, sepse ne jemi në fillimet e një aventure të re dhe nuk është se i kemi futur këmbët ende…(qesh). Për më tepër që pa dhënë leje klubi nuk jep dot intervistë. Kur ishim tek Empoli ndryshonin gjërat. Ka qenë moment merkatoje dhe ka qenë e vështirë për të gjithë ne, më besoni.

Komplimente, sepse është krenari të shohim një lojtar shqiptar të luajë tek Interi. Fillimisht duam t’ju pyesim si përfunduat ju në Itali?

Në Itali unë kam ardhur në 23 dhjetor të vitit 2001, d.m.th. para 21 vitesh. Unë tani jam 48 vjeç. Kam ikur si të gjithë shqiptarët e tjerë. Fillimisht përfundova në Rimini. Kam pasur aty disa njerëz të mi nga Fieri që më kanë ndihmuar. Kam ndenjur dy vjet, pastaj jam spostuar në Piza.

Kur ka lindur Kristjani në Elbasan unë kam qenë në Itali. Data e lindjes së tij është 9 mars, që është dhe dita e lindjes së Interit. Më vonë, në 2004 kam marrë edhe familjen në Piza, kur Kristjani ishte dy vjeç. Këtu Kristjani filloi të shkonte në kopsht. Më vonë filloi dhe futbollin këtu në fshatin që unë jetoj, në një fshat të Pizës.

Kur e ka nisur futbollin djali juaj?

Kristjani e ka filluar me futbollin kur ishte 5 vjeç e gjysmë.

Keni pasur ndonjë traditë familjare apo thjesht ju keni pasur qejf futbollin? Pse pikërisht futbollin dhe jo një sport tjetër?

Unë kam qenë shumë i pasionuar pas futbollit. Si tifoz normalisht. Ne në Shqipëri në atë kohë nuk kishim kushtet që janë tani. Atëherë nuk e dije se çfarë do të bëheshe dhe ku do të arrije në jetë. Do t’i bije kitarës apo do të bëheshe sportist, apo do të vazhdoje shkollë apo jo… Kurse këtu, në moshën 5 vjeç e gjysmë unë e regjistrova Kristjanin në futboll. Fshati ku jetoj unë është një fshat shumë i thjeshtë me 4-5 mijë banorë.

Ishin shkolla të mbikëqyrura nga Fiorentina dhe vitin e parë na e spostuan djalin në një akademi 8-9 km nga fshati dhe në fund të vitit më vjen Empoli. Për fat të mirë, këtu në fshat kemi pasur një djalë futbollist që kishte luajtur me Empolin dhe më pas arriti të luante me Torinon. Isha i pasigurt dhe i mora atij një këshillë. E pyeta ku ta çoja djalin: te Firence apo tek Empoli?

Çfarë ju tha ai?

Ai më tha: “Për mendimin tim, më e mirë për talentet është akademia e Empolit”. Kishte të drejtë. Kur shkuam në Empoli, Kristjani ishte 7 vjeç e gjysmë. Të gjithë më flisnin mirë, por unë e dija që futbolli ishte i vështirë, sepse e shihja si ishin. Por ne shqiptarët, në Empoli, e kam thënë dhe herë tjetër, na respektojnë shumë.

Pse?

Elseid Hysaj ka lënë një respekt të madh këtu. Kudo ku shkoja më thoshin: “Hysaj dhe babai i tij janë shumë njerëz të mirë”. Sa herë që firmosej një marrëveshje me Empolin nga ana jonë, përmendej vetëm Hysaj. Fillimisht ishte si lojë, por pastaj nisën edhe sakrificat më të mëdha.

Për çfarë e keni fjalën?

Sakrifica ishte e madhe nga mosha 12 deri në 14 vjeç. Kur hyri në moshën 14 vjeç luheshin shumë ndeshje, kishte shumë transferta. Ka qenë e vështirë, shumë e vështirë.

Sa e vështirë ka qenë financiarisht për një familje emigrantësh?

Shikoni, shoh shpeshherë komentet në rrjetet sociale dhe ndonjëherë më vjen keq për ato që lexoj. Ka pasur edhe një keqkuptim sikur unë paguaja 300 euro në ditë për të dërguar djalin të stërvitej. Nuk është kështu.

Si është e vërteta?

Siç ju thashë, stërvitjet e Kristjanit u spostuan në një vend tjetër dhe për ta çuar në stacionin ku i merrte autobusi i akademisë, duhet të përshkoja 9 km çdo ditë. E kisha të pamundur, sepse unë dhe bashkëshortja ishim në punë. Me atë punë mbanim familjen. Rashë në ujdi me një djalë nga fshati këtu, një italian që ishte pa punë dhe e paguaja atë 300 euro në muaj, thjesht që ta çonte dhe ta merrte deri te stacioni.

Po tek akademia e Empolit sa lekë paguanit për stërvitjen?

Në Empoli nuk kam paguar asnjë kokërr leku.

Po pse nuk paguat, e kanë sistemin e akademive të tillë?

Këtu në Itali, me sa di unë, sepse kam pyetur shumë shqiptarë, nuk paguajnë në akademi. Ah, ndoshta mund të paguajë vetëm prindi rrugën e tij. Djali nuk paguante për asgjë. P.sh. kur ikte në Torino i kishte të gjitha të paguara dhe jo djali im, por komplet skuadra.

Në akademi nuk kemi paguar lekë. Unë e kisha problem vetëm ta nxirrja djalin nga vendi ku rrija te vendi në super stradë 8-9 km. Për dy-tri vjet rresht kam paguar një italian. Por, kam pasur dhe kushërinj që kur kishin kohë më ndihmonin. Edhe vëllai im më ka ndihmuar.

Ju keni edhe një djalë tjetër më të vogël. A mund të ecë ai në gjurmët e Kristjanit?

Po, unë kam dhe një djalë tjetër të vogël dhe e kam çuar në futboll këtu në fshat, por nuk është si djali i madh. Dua të jem i ndershëm dhe të pranoj realitetin: ende nuk është për klube profesioniste.

Kush ua ka thënë këtë?

Shikoni, më kanë thënë dhe tek Empoli kur kam firmosur kontratën me Kristjanin që do të na e sjellësh edhe djalin e vogël këtu, madje dhe presidenti i ka thënë djalit tim, por ne i kemi thënë që jo, nuk është për të luajtur futboll në nivele të larta. Dhe kjo që po them është e vërtetë. Për këtë jam shumë i sinqertë.

Ju keni vetëm dy djem?

Po, kam dy djem, Kristjanin të lindur në 2002-shin dhe djalin e vogël të lindur në 2010-ën.

Ju jeni nga Elbasani?

Po, jam nga zona e Elbasanit.

A keni më të afërm në Elbasan? A vini ndonjëherë në Elbasan apo jeni shkëputur komplet nga Shqipëria?

Unë jetoj këtu në Itali. Kam blerë shtëpi këtu. Kur luajti Kristjani me Izraelin isha në Tiranë. Aty më kanë mbetur vetëm prindërit e mi. Kam një vëlla në Greqi dhe gjithë të tjerët motra, vëllezër jemi në Itali. Kam dhe një motër në Ersekë.

Si e përjetuat debutimin e Kristjanit me skuadrën e parë tek Empoli?

Në skuadrën e parë tek Empoli ka qenë që vitin e kaluar, kur ka qenë trajner Dionisi që sot drejton Sasuolon. Ka qenë tetor kur e kanë thirrur me skuadrën e parë. Nga Primavera stërvitej me skuadrën e parë, por luante për Primaverën. Debutimin e ka bërë në Napoli për Kupën e Italisë.

Si u ndjetë kur e patë të luante me skuadrën e parë?

Nuk e besoja dot. Emocionet ishin të mëdha. Unë kam qenë tifoz i flaktë i Hysajt. E shihja në ndeshje, e njihja madje edhe babanë e tij. Shkoja në stadium, e shihja dhe gëzoja pa masë. Emocionohesha shumë për Hysajn kur e shihja në fushë, jo më pastaj për djalin tim. Oh, ishte vërtetë emocion i veçantë. Ishte një gjë e rrallë. Nuk më besohej kurrë se do të arrinte në këto nivele.

Pas asaj ndeshjeje në Napoli a e takuat djalin dhe çfarë i thatë?

Jam takuar pas dy ditësh kur është kthyer nga Napoli dhe shkova ta merrja tek Empoli. Ai vetë ishte shumë i qetë. Ishte shumë i lumtur natyrisht.

Kush ishte më i emocionuar, juve apo ai?

Unë nuk është se kam qenë njeri i bezdisshëm që ta stresoja. As atëherë dhe as edhe tani. Sikurse e kam mësuar dhe nga shumë njerëz të tjerë, nga ky futbollisti këtu në fshat që ishte më i madh në moshë se djali im, por dhe i ati i Hysajt gjithmonë më thoshte “lëre fëmijën e lirë”. Në fillimet e Krisjanit tek Empoli, babai i Hysajt më qetësoi duke më thënë: “Rri i qetë se këtu është klubi më i mirë që ekziston për të rinjtë”. Dhe, faktikisht ashtu ndodhi.

Po kur debutoi në Serinë A, si e përjetuat?

Në Serinë A kur ka luajtur 5 minuta ose 10 minuta, por unë gjithsesi kam qenë shumë i lumtur. E mbaj mend debutimin e tij në kampionat, ka qenë kundër Kaljarit në Sardenja. Mirëpo, tjetër gjë është të luash pak minuta nga fundi dhe tjetër gjë të luash titullar.

Pse?

Por, kur luante 5 minuta ndryshonin gjërat, fitoje, edhe pse ishin minuta të shkurtra. Por, kur luajti 90 minuta ka qenë emocioni më i vështirë për mua. Nuk e di se si ndihej Kristjani në fushë, kurse unë vet e ndjeja shumë. Kaloja në stres… Obobo çfarë do të bëjë ky, si do ta bëjë ky….(qesh). Kisha merak sepse mund të bënte edhe ndonjë gabim dhe fillimi është shumë i rëndësishëm. Nuk ishte e lehtë, më besoni.

Kur dëgjuat për herë të parë që Interi kishte interes për djalin tuaj?

E kishim dëgjuar nga mediat, por nuk e mendonim se do të realizohej. Dhe kur njerëzit më pyesnin isha mosbesues. Nuk e besoja. Unë e kam dëgjuar një natë më parë se Kristjani do të luante me Izraelin në Shqipëri.

Çfarë ndodhi saktësisht?

Atë ditë më telefonuan nga Italia dhe më thanë që duhet të vish këtu. U nisa direkt në Itali dhe filluan takimet e mia me menaxherin e më pas edhe me Kristjanin. Ia shpjegova dhe i thashë se pas ndeshjes me Izraelin duhet të jesh këtu në Itali.

KRISTJAN ASLLANI

Kur jeni emocionuar më shumë, kur ka luajtur për herë të parë me ekipin Kombëtar apo kur luajti në Serinë A?

Me Kombëtaren. Me Kombëtaren ishte emocioni më i madh për mua.

Çfarë menduat në ato momente?

Nuk e besoja kurrë që do të luante me Kombëtaren. Me Kombëtaren jemi të gjithë të dashuruar, jo vetëm unë, por të gjithë shqiptarët… I kemi ndjekur lojtarët tanë nga televizori dhe i përjetonim shumë ndeshjet e kuqezinjve. Jam lumturuar pa masë kur kam parë Hysajn të vishte për herë të parë fanellën kuqezi. Oh, çfarë gëzimi! Më pas kur pashë Kristjanin me fanellën e skuadrës së parë, jam prekur shumë. Më dukej si ëndërr. Nuk e besoja dot.

Çfarë tha Kristjani kur debutoi me Kombëtaren?

Nuk i kam thënë asnjëherë asnjë gjë. Nuk e kam stresuar kurrë, nuk e kam ngacmuar, në kuptimin që ta pyes si u ndjeve, si ia bëre. E lë gjithmonë shumë të qetë. Nuk i kam rënë me shpullë për të ndjekur rrugën e futbollit. Këtyre gjërave u kam ndenjur gjithmonë shumë-shumë larg. Nuk e ngacmoj kurrë për asnjë lloj gjëje që ka lidhje me futbollin.

asllani

Kristjani që në fillim këtë rol ka pasur, mesfushor, apo e ka nisur me një pozicion tjetër dhe pastaj me kalimin e kohës u përshtat në këtë pozicion?

Kur ishte në moshën 8-9 vjeç, e aktivizonin mbrapa sulmit. Herë si fantazist dhe herë si numër 7. Pastaj, roli i tij gjithmonë ka qenë mesfushor, aty ku luan sot, para mbrojtjes.

Pati një moment kur për Kristjanin foli edhe Lukaku duke e konsideruar djalin tuaj shumë inteligjent… E keni parë atë video?

Unë atë ditë kam qenë vetë në Milano, deri në momentet e fundit mua më kanë thënë fjalët më të mira. Aty brenda në zyra jam përpjekur të jem gjithnjë i qetë dhe të mos shfaq emocione, por kur kam dalë kam pasur një stres të madh si të gjithë prindërit. Kushdo qoftë i përjeton shumë ato momentet kur djali yt duhet të shkojë në një klub të madh si Interi…

Pse, çfarë ndodh gjatë atyre orëve?

Nuk e beson dot. Ne prindërit kemi dëshirë që ta kemi fëmijën dikushi. Por mua, atë ditë aty nuk më besohej akoma dhe thosha, jam në Milano, kam ardhur për këtë punë apo… Nuk ishte një gjë e lehtë.

Tani që djali juaj ka firmosur me Interin, a mund të thuhet se familja Asllani e ka vënë “jetën në terezi” dhe sa herë ju kanë pyetur për rrogën e Kristjanit?

(Qesh)… Ne shqiptarët kemi qejf lekun më shumë. E kemi si zakon që sa herë takohemi, pyetja e parë pas urimit është: Sa lekë merr? Por unë nuk do të hyj kurrë në këtë diskutim, sepse këto janë gjëra që i përkasin djalit tim dhe familjes sime.

KRISTJAN ASLLANI 1

Ne dimë shumë pak për Kristjanin për shkak se ai është rritur jashtë dhe shumë gjëra ndodhën shpejt, që nga debutimi në Serinë A, kalimi tek Interi dhe debutimi në Kombëtare… Çfarë tipi është ai?

Kristjani është shumë i qetë. Djalë i urtë, nuk ngacmon kurrë askënd. Nuk i pëlqen të thotë “unë këtu, unë atje”.

Çfarë hobi ka? A i pëlqejnë makinat, veshjet, plazhi…?

Sa u takon makinave, po ju them se ne ditën e parë firmosëm në Milano, ndërsa Kristjani pardje e ka marrë patentën, pra një ditë më pas. Dua t’ju bëj të qartë se megjithëse këtu ku banojmë e ka pasur guidën në dispozicion përherë, nuk ka pasur kohë që të ushtrohet rregullisht, sepse ka qenë gjithnjë i ngarkuar me stërvitje.

Çfarë e mërzit ndonjëherë. Cila është gjëja që e bezdis dhe çfarë e lumturon më shumë atë djalë?

Atij nuk i pëlqen shumë të lëvizë. I ka bezdi udhëtimet e gjata dhe spostimet e shpeshta. Edhe kur rri këtu, rri vetëm në fshat, këtu në zonën ku banojmë ne.

Si ka ndryshuar jeta juaj tani? Çfarë impakti ka pasur në jetën e familjes pasi firmosi djali juaj me Interin?

Vazhdon jeta si më parë. Bashkëshortja ime punon në një pastiçeri, kurse unë merrem me kontrollin e ujit të pijshëm. Këtu në fshat unë e njoh shumicën e njerëzve, 80 për qind të fshatit.

Dhe unë dhe Kristjani, të gjithë na thonë që jeni njerëz shumë të thjeshtë dhe na respektojnë. Edhe shqiptarët këtu, sepse njoh shumë prej tyre, janë shumë të kënaqur me Kristjanin. Por, edhe kur këtu luante Hysaj, ngaqë unë e njihja, shkonim në një lokal dhe aty vinin të gjithë shqiptarët dhe shihnim ndeshjet bashkë. Kur luante me Empolin e ndiqnim Empolin edhe në transferta vetëm prej Hysajt. Kënaqeshim edhe kur shikonim Igli Taren kur luante futboll.

Po Taren ku e keni ndjekur?

E ndiqnim në televizor kur luante me Bolonjën, kur luante me Lacion. Dhe bëhesha tifoz me ekipet ku luanin shqiptarët. Erion Bogdanin e ndiqnin të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm unë, por të gjithë ne që jetojmë këtu.

A e kishit menduar ndonjëherë se Kristjani do të mbërrinte në këto nivele dhe do të luante me Interin?

Kurrë. Unë nuk e mendoja as që do të arrinte tek Empoli në skuadrën e parë e jo më deri tek Interi. Këtë gjë ia kam thënë edhe presidentit të Empolit. Jam takuar me presidentin, e kam falënderuar ditën kur çdo gjë mbaroi me Interin.

Më thatë që jeni larguar nga Shqipëria në 2001-shin, por nuk më thatë si udhëtuat për në Itali dhe si mbërritët aty?

Si të gjithë ata që në moshën time u nisën me gomone nga Vlora në ato vite të vështira.

E mbani mend, sa paguat për gomonen?

Si të gjithë. Kishte çmime të ndryshme. Disa paguanin 500 mijë, disa 800 mijë lekë.

A keni një këshillë për talentet shqiptare që stërviten dhe jetojnë në Itali?

Me këtë që po të them, jo se dua të lavdëroj Empolin, por unë kam njohur shumë shqiptarë nëpër akademitë italiane dhe shumë futbollistë të mirë e të fortë. Por, akademia e Empolit në Itali është me të vërtetë e jashtëzakonshme.

Prandaj shpesh kur shkëmbehem me shqiptarët që kanë fëmijë nëpër akademi i këshilloj, “mos e çoni djalin në Firence, por çojeni tek Empoli se është me të vërtetë një klub shumë i mirë”. Edhe unë po të kisha qenë në Firence me Fiorentinën, nuk do të kisha arritur këtu ku jam tani. Jo se unë jam ekspert futbolli, por jeta më ka mësuar.

Pse keni arritur në këtë konkluzion?

Shikoni, Fiorentina ka më shumë para dhe e blen futbollistin e gatshëm, kurse tek Empoli unë kam parë shumë futbollistë që nga akademia kanë kaluar në skuadrën e parë. Empoli i jep shansin çdo lloj futbollisti, pastaj nëse ti nuk je për në fushë nuk është faji i klubit, se dhe ne prindërit pastaj themi është faji i klubit…

Nëse Kristjani një ditë ju kërkon një këshillë, çfarë do t’i thoshit?

Ji vetvetja dhe bëji gjërat siç i ke bërë deri tani. Me thjeshtësi dhe pa shumë zhurmë.

JETMIR HALILAJ – Arena e Lajmit

 


Loading…

Loading…

EKSKLUZIVE/ Me gomone drejt Italisë, babai i Asllanit: Ju tregoj si u transferua te Interi (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook