Shqipëria ka marrë 4 medalje në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, aktivitet që ka nisur që prej 25 qershorit në Algjeri dhe që do ta ulë siparin më 6 korrik me ceremoninë e mbylljes.
Rezultate të rëndësishme nga sportistët tanë, të cilëve u takojnë, sipas ligjit, edhe shpërblime financiare.
Por le të shikojmë sa do të përfitojnë medalistët dhe rekordmenët kuqezi të Mesdhetareve.
Paraqitjen më mbresëlënëse e realizoi atletja Luiza Gega, e cila fitoi medalje ari në garën e 3000 metrave me pengesa, si dhe vendosi rekord të ri Mesdhetar, duke thyer pikërisht rezultatin që kishte vendosur po vetë në “Tarragona 2018”.
Falë këtyre arritjeve Luiza Gega do të përfitojë 20 milionë lekë të vjetër për medaljen e artë dhe 30 milionë për rekordin mesdhetar, pra një total prej 50 milionë lekësh të vjetër.
Shqipëria shkëlqeu në Oran edhe me sportin e mundjes, teksa Zelimkhan Abakarov u shpall kampion Mesdheu në stilin e lirë.
Falë medaljes së artë, sportisti çeçen i natyralizuar me pasaportë shqiptare do të marrë 20 milionë lekë të vjetër.
Gjithashtu Islam Dudaev, tjetër mundës i natyralizuar nga Çeçenia, i cili fitoi medaljen e bronzit duke përfaqësuar flamurin kuqezi, do të përfitojë 8 milionë lekë të vjetër nga shteti shqiptar.
Ndërsa peshëngritësi Erkand Qerimaj, i cili u shpall nënkampion në stilin e shkëputjes për peshat 73 kg, do të marrë 10 milionë lekë të vjetër për medaljen e argjendtë.
Rezultate të cilat sportistët tanë i kanë arritur me mund dhe djersë, duke nderuar vendin në këtë eveniment të rëndësishëm ndërkombëtar.
Arena e Lajmit
Loading…
Loading…