“Kemi probleme me Seferin dhe Totren”, Shehi para debutimit në Champions: Lojtarët të ndjehen dhe të bëjnë kampionin

Nga i dërguari ynë në Luksemburg, Olsi Avdiaj
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, i është përgjigjur sot pyetjeve të gazetarëve shqiptarë në konferencën për shtyp para sfidës ndaj Dudelanzh në Ligën e Kampioneve. Ai ka theksuar se ekipi ishte gati për këtë sfidë, teksa priste që lojtarët të luanin si kampionë duelin ndaj vendasve.

auto_shehi-sp1652184671

“Është e vërtetë që është shumë e rëndësishme, sepse është një ndeshje e Champions. Mendoj se pas një periudhe relativisht jo shumë të gjatë nga ndërprerja e kampionatit dhe rifillimi i fazës, besoj se jemi gati edhe pse kemi pasur disa shqetësime të vogla, pasi Seferi dhe Totre kanë pasur disa probleme në ditët e fundit. Por të shohim nesër pastaj për ta.

Në kohën e sotme informacionet nuk mungojnë, sepse ke dijeni si mund të luajë edhe nga kampionati i kaluar. Ne këtë informacion e kemi dhe mendoj që kemi që pas hedhjes së shortit që mendojmë gjithmonë për kundërshtarët. Edhe pse në miqësore, e kemi trajtuar mënyrën se si do të luajmë. Ndeshja në video e letër ka dallim nga ajo reale, por mendoj se deri diku e njohim kundërshtarin.

Mendoj se fusha e stadiumit nuk është në standardet e Champions, është e ngushtë dhe jo në përmasat e duhura e normale. Por ne duhet të përshtatemi sa më shumë e sa më shpejt. Përshtatja duhet të jetë e menjëhershme, të mos humbim kohë. Bëmë stërvitje sot dhe nesër duhet të përshtatemi sa më shumë.

Unë mendoj se është ndeshje që nuk mbaron nesër, ka edhe kthim, ndaj duhet të jemi gjithmonë në kuadrin e asaj që është me dy takime. Është hequr edhe goli në fushë kundërshtare, pra do të mendojmë edhe për ndeshjen e radhës. Sigurisht ka momente ku skuadra duhet të interpretojë në shumë mënyra loje, por në bazë të kundërshtarit e situatave që do të paraqesë loja.

Nuk mendoj që skuadra është dobësuar, sigurisht që ka elementë që kanë qenë në skuadër që nuk është kollaj të zëvendësohen. Ne do të mundohemi që të plotësohemi në ditët në vijim se mendoj se nuk kemi gjetur ende elementët e duhur për idenë tonë të lojës. Por në ndeshje nesër baza është, një apo dy elementë mund të jenë të rinj ne ekip.

Mendoj se në një ndeshje në Champions luan përballë skuadrash kampione dhe çdo skuadër ka elementë shumë të rëndësishëm dhe kjo na mbetet ne për ta interpretuar. Por në Champions vlejnë shumë detajet, situata. Dhe në një situatë që nuk e vlerëson sa duhet mund të ndëshkohesh, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm e të përqendruar duke e ditur që në këto nivele detajet bëjnë diferencën. Duhet të hyjmë në fushë të përqendruar duke e ditur që ka ndeshje përsëri, por edhe duke e ditur që çdo gabim nuk kthehet më.

Sa është hedhur shorti jemi munduar të punojmë me skuadrën. Mua nuk më pëlqen të flas e të them ku kemi luajtur ne apo unë, se janë e shkuara. Por eksperiencën mund t’ia transmetojmë lojtarëve. Unë drejtoj lojtarë kampionë dhe është e rëndësishme që nesër lojtarët të ndjehen dhe të bëjnë kampionin.

Është e vërtetë që është ndeshja ime e parë si trajner në Europë. Edhe pse në fushë kam drejtuar skuadra nga brenda falë eksperiencës e moshës në ekipet ku kam qenë, por është e para që drejtoj nga jashtë. Dhe është shumë motiv krenarie që ndeshja e parë është pikërisht në Ligën e Kampioneve”, tha Shehi.

Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

“Kemi probleme me Seferin dhe Totren”, Shehi para debutimit në Champions: Lojtarët të ndjehen dhe të bëjnë kampionin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook