Masimiliano Alegri trembi jo pak juventinët mbi një largim në mes të pushimeve verore, pasi ai u kap në Montekarlo nën shoqërinë e Luis Kamposit, drejtorit të ri sportiv të PSG-së. Një lamtumirë e trajnerit vetëm pak javë nga starti i fazës përgatitore prish shumë plane në një skuadër, por “Konti Maks” jo vetëm që nuk kishte ndërmend këtë, por si gjithmonë me atë moskokëçarjen që e karakterizon shpesh, u tha “jo” parisienëve, ndonëse të stërvisësh lojtarë si Mesi, Mbape e Nejmar, shansi të vjen një herë në jetë dhe duhet të kesh kurajë të madhe të mos pranosh.
Por fundja, një si Alegri, kur nuk kishte frikë apo turp për të braktisur bashkëshorten në altar, ditën e dasmës, refuzimi ndaj milionave të PSG-së mund të duket diçka banale. Dhe prapaskena e gjithçkaje ndodhi në Montekarlo e tregon Xhovani Galeone, ish-trajneri i Alegrit kur luante futboll, por në të njëjtën kohë edhe mësuesi dhe miku i tij më i ngushtë:
“Alegri nuk është bërë pishman kurrë për Juventusin, përkundrazi. Pak ditë më parë, kur doli në sipërfaqe ajo historia e PSG-së, ai më telefonoi dhe i thashë: ‘Maks, po si m… mund të kesh guxim dhe të refuzosh PSGnë?!’ Ndërkohë, ai m’u përgjigj sikur i kisha bërë një tjetër pyetje: ‘Mister, shiko këtu… Unë erdha në Montekarlo me disa miq, pasi kishim porosi për të blerë disa karkaleca të freskët në markatën e Montekarlos, dhe çfarë karkalecash madje! Ishin të gjallë, lëviznin ende! Sipas teje ku të shkoja t’i gjeja ato, në Paris?!, – vazhdon të tregojë Galeone, i cili ka besim se sezoni tjetër do të jetë shumë herë më pozitiv me Juven.
Nëse nuk do të kishte ndodhur humbja me Interin, të ishit të sigurt se jo vetëm zikaltrit, por edhe Milani do të ishte frikësuar nga Juvja. Por ajo disfatë, në ndeshjen më të mirë të sezonit, e shfryu totalisht Alegrin, i mohoi dëshirën për të luftuar. Gjithsesi, me lojtarë si Pogba dhe Di Maria, por pse jo edhe me dy investime të tjera, ndonëse ai e di se De Ligti mund të largohet dhe ky është jo pak problem, Juvja mund të synojë më lehtë titullin sivjet”, përfundoi Galeone.
Arena e Lajmit
Loading…
Loading…