Bylisi, ashtu siç e kishte planifikuar, gjatë pasdites së djeshme ka dalë në stërvitje në qytetin e Ballshit. Fillimisht një përshëndetje mes stafit e lojtarëve, ndërsa më pas rreshtim në fushë dhe nisja e fazës përgatitore. Skuadra mallakastriote, pas ekipeve shqiptare që marrin pjesë në Europë, bëhet kështu nga ekipet e para që zbresin në fushë dhe nisin përgatitjet për sezonin 2022-2023. Faza, siç edhe dihet, do të vijojë në Ballsh, ndërsa në ditët në vijim do të ketë diçka konkrete nëse ekipi do të shtegtojë ose jo jashtë qytetit.
POSTIMI I ANANAIS- Biringueta dhe Ananais ishin dy lojtarët që u “divorcuan” me ballshiotët në prag të fillimit të fazës përgatitore. Braziliani Zhoao Ananais, përmes një postimi në rrjetet sociale ka falënderuar klubin dhe presidentin Besnik Kapllanaj për mbështetjen që ka pasur në Ballsh bashkë edhe me familjen e tij. Ja postimi i mesfushorit Ananais: “Falë Bylisit unë dhe familja ime erdhëm në Ballsh dhe u ndiem shumë mirë, por një falënderim të veçantë unë e kam për presidentin e Bylisit, Besnik Kapllanaj, që na ka ndenjur shumë afër dhe ngrohtësia e tij nuk na ka munguar. Fat të mirë dhe suksese Bylisit”.
BASHKIA HARRON BYLISIN – Bylisi feston 50-vjetorin e themelimit më 14 korrik, por duket se Bashkia Mallakastër e ka harruar skuadrën në axhendën e saj për festën e 14 korrikut që përkon edhe me festën e tri Besëlidhjeve të Poçemit. Nga kjo festë ka marrë edhe emrin e parë Bylisi, ku dekada më parë u quajt “14 korriku”. Por duket se krahas mosvëmendjes që ka pasur në vitet e fundit duke mos marrë asnjë qindarkë nga bashkia edhe nga buxheti i sportit apo dhe asnjë shpërblim në majin e shkuar, pasi doli kampion, duket se Bashkia Mallakastër e ka harruar edhe 50-vjetorin e Bylisit. Futbolli me protagonist Bylisin mbetet i vetmi argëtim për trevën e Mallakastrës, madje duket bërë jehonë edhe në jugun e Shqipërisë duke luajtur në elitë, pasi ka lënë poshtë emra të mëdhenj si: Flamurtari, Luftëtari, Skënderbeu, Apolonia, Tomori, Naftëtari, Lushnja e Albpetroli.
ERJON SALIU – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…