Elvis Sina është një nga futbollistët me karrierë të gjatë dhe të mbushur me rekorde në futbollin shqiptar. Gjatë 18 vite karrierë si futbollist profesionist mbrojtësi kryeqytetas ka edhe rekordin e trofeve të fituar, plot 21. Ish-mbrojtësi i Tiranës ishte në dijeni të këtij rekordi të trofeve, por ai nuk e dinte se mban edhe një tjetër rekord në vend, si lojtari me më shumë ndeshje të luajtura me klubet shqiptare në Champions apo Liga e Kampioneve siç quhej dikur. Janë statistikat e UEFA-s për këtë kompeticion që tregojnë rekordin e Sinës, i cili kur u pyet në formë kuici nga “Panorama Sport” pohoi se nuk e kishte idenë se kush e mbante rekordin. Madje, u habit kur e mori vesh se ishte ai vetë. Në rrëfimin për gazetën, Sina tregon emocionet më të bukura që ka përjetuar në Champions, ndërsa drejtimin e Tiranës si trajner e shikon të largët, pasi është i angazhuar me bizneset familjare. Ish-kapiteni dhe rekordmeni në Champions ka një këshillë për Tiranën, e cila sot luan me Dundelanzhin. Sipas Sinës, ka ardhur koha që Tirana të mendojë për të kaluar ture dhe marrë pjesë në grupet e Europës. Ndaj, që nga ky sezon ai e këshillon Tiranën që të përsërisë modelin e Skënderbeut në Europë.
Sina, intervistën do ta nisim me një kuic. A e dini se cili është futbollisti shqiptar që ka zhvilluar më shumë ndeshje në Champions apo Kupa e kampioneve, siç quhej dikur, me klubet tona?
Të them të vërtetën, nuk e di.
Po, që jeni ju me Tiranën?
Unë… (Habitet).
Po ju, e konfirmuar nga vetë faqja zyrtare e UEFA-s dhe kryesoni me 17 ndeshje, keni një më shumë se Shehi dhe Radas me Skënderbeun…
(Qesh)… Realisht nuk e dija dhe as që më kishte shkuar ndërmend apo llogaritur ndonjëherë se këtë rekord e paskam unë në Shqipëri. E di që jam lojtari me më shumë trofe të fituar në Shqipëri, si dhe futbollisti me më shumë ndeshje me fanellën e Tiranës, më duket se 435 takime. Dua t’iu falënderoj për këtë lajm të bukur që më dhatë, pasi që plotëson akoma më shumë karrierën time.
Ju jeni lojtari me më shumë ndeshje në Champions, ndërsa Devi Muka golashënuesi më i mirë me 5 gola, po aq sa Hamdi Salihi…
Për Devin e dija që ka shënuar disa gola, por se ishte te golashënuesit më të mirë në Champions nga klubet shqiptare, gjithashtu nuk e kisha informacionin e saktë.
Duke parë këto dy rekorde që mbahen nga ish-lojtarë bardheblu. Mos ndoshta edhe Tirana duhet të inspirohet nga ju dhe të vendosë rekorde në Champions apo në Kupat e Europës duke filluar nga ky edicion?
Në Champions nuk ka ekipe të lehta, ndonëse bëhet fjalë për turet e para. Tirana është pjesëmarrëse e rregullt në Europë. Tani ajo nuk e ka për detyrë vetëm të fitojë tituj dhe të sigurojë pjesëmarrje në Europë, por të vazhdojë rrugën që bëri Skënderbeu para disa viteve. Ka ardhur momenti që të mos shikohet ngushtë duke u kënaqur vetëm me pjesëmarrjen dhe arkëtimin e shumave që vijnë nga turet e para.
Pra, ju thoni që momenti ka ardhur dhe Tirana duhet ta nisë ndryshimin në Europë që nga ky sezon?
Tirana është rekordmene trofesh në vendin tonë dhe shumë herë pjesëmarrëse në kompeticonet europiane, por që nuk ka kaluar ture. Tani bardhebluve u del për detyrë që të mendojnë për të kaluar ture. Nuk mund të ngopet thjesht me pjesëmarrjen.
Si arrihet kjo?
Kjo gjë arrihet me zgjuarsi, futboll të bukur dhe me grintë. Pra, Tirana duhet ta nisë aventurën europiane jo me idenë e pjesëmarrjes, por të kalimit të tureve. Thjesht të bëjë atë rrugëtim që bënë korçarët para disa viteve. Edhe Skënderbeu nuk e kishte eksperiencën e duhur që e bëri atë sukses, por menaxhimi i mirë i situatave me lojtarët dhe afrimi i zgjuar i futbollistëve në merkato. Pra, afrimi i lojtarëve me eksperiencë edhe në arenën ndërkombëtare bëri që Skënderbeu të shkojë aty ku shkoi, plus edhe me përkrahjen e tifozërisë, që është shumë e rëndësishme. Tifozët janë pjesë e pandashme e një ekipi, siç janë te Tirana.
Duke parë Tiranën tani dhe shortin që i ka rënë, mund t’ia arrijnë bardheblutë, pasi në përgjithësi ruajtën edhe grupin që doli kampion?
Çdo fundvit ka largime tek ekipet, por kryesore është se Tirana e ka ruajtur shtyllën kryesore. Trajneri Shehi bashkë me presidentin e kanë ruajtur boshtin e ekipit. Ndonëse firo do të ketë, pasi pakënaqësi ka edhe në kampionat për mungesë hapësirash apo për paraqitjet e bëra nga vetë lojtarët gjatë sezonit. Ruajtja e grupit është një faktor pozitiv, plus edhe gjatë fazës përgatitore kanë zhvilluar teste të mira. Kundërshtarët kanë qenë seriozë në miqësore dhe thuajse të një niveli me Dundelanzhin, që e kanë përballë në Champions.
Kundërshtarin e kanë nga Luksemburgu, mos ndoshta Tirana duhet të jetë vigjilente duke mos shfaqur nënvlerësim, pasi dihet e shkuara e Dundelanzhit në Europë?
Nuk ka të bëjë kjo, pasi Dundelanzhi mund të marrë pjesë në grupe, por ekipet ndryshojnë nga sezoni në sezon. Pjesëmarrja në grupe të Kupave të Europës nga kundërshtari tregon se bardheblutë do të përballen me një klub me organizim shumë të mirë. Gjithsesi, për Tiranën ka ardhur momenti që të përsërisë Skënderbeun e Europës apo atë që ka bërë kundërshtari i tyre aktual në Champions, Dundelanzhi. Struktura e re e kompeticioneve europiane e ndihmon Tiranën, pasi nëse kalon dy ture në Champions, minimumi i mëtejshëm është sigurimi i grupeve të Ligës së Konferencës. Pra, një shans që duhet shfrytëzuar… Sigurisht që është një shans i mirë për të gjitha ekipet shqiptare që dalin kampione. Dihet që të ardhurat do të jenë të larta, por insistoj që Tirana duhet të menaxhojë sa më mirë pjesën e lojtarëve që do të aktivizojë, pasi duket se këtë vit edhe kampionati nis më herët për shkak të Botërorit që zhvillohet në dimër. Kështu që ngarkesa do të jetë dytrefish më e lartë. Pra, Tiranës i duhet një “ushtri” e mirë lojtarësh dhe e menaxhuar me disiplinë dhe rregulla gjatë kësaj kohe. Ngarkesa ndaj lojtarëve do të jetë shumë e madhe dhe uroj që Zoti t’u japë shëndet. Trajneri duhet ta menaxhojë hollësisht dhënien e ngarkesës për çdo lojtar në këtë periudhë me ngarkesë. Madje, dihet që te Tirana ka lojtarë që kanë nisur fazën pa bërë pushime se kanë qenë të angazhuar me kombëtaret në fillim të qershorit.
Nëse Tirana arrin të kalojë në grupe, a duhet ta mbajë Seferin apo ta shesë siç përflitet?
Unë mendoj se çdo ekip dhe president synimin e ka që të rrisë buxhetin dhe që ta ketë sa më të thjeshtë në vazhdim pjesën e investimit për sezonin pasues. Kur arkat e klubit janë plot, të japin njëfarë qetësie për çdo situatë që të del përpara, ku bëjnë pjesë edhe ndërhyrjet në merkato. Ndaj, sa i përket rastit, duhet që klubi ta organizojë sa më mirë situatën, që nuk mund ta kalosh lehtë.
Duke iu referuar periudhës suaj dhe aktuales, ka qenë më e vështirë atëherë apo tani në përballjet në kompeticionet europiane?
Ka qenë më e vështirë atëherë, për shkak të formulës së aktiviteteve. Atëherë shkonte fituesja e titullit dhe Kupës, si dhe ka qenë edhe Kupa Intertoto ku merrte pjesë një ekip shqiptar. Më përpara ka qenë shumë më e vështirë, pasi edhe të ardhurat ishin të pakta. Tani janë shtuar shpërblimet, ekipet që marrin pjesë, Kupat europiane, si dhe ka formula që të mbajnë në lojë duke kaluar nga kompeticioni në kompeticion, edhe pse je eliminuar. Ne vërtetë luanim në Champions, por nuk e kishim fatin që të vazhdonim të luanim sërish në Europë. Tani ndeshjet janë më të shumta, ku merret më shumë eksperiencë dhe të ardhura, si dhe rriten emri dhe vlera e klubeve dhe lojtarëve.
Nëse do t’ju kishte kapur kjo kohë, mbase rekordi juaj do të ishte edhe më i thellë në Europë…
Patjetër. Kjo është një mundësi e madhe që u jepet futbollistëve aktualë, ndaj duhet ta shfrytëzojnë sa më shumë pasi futbolli nuk ka jetëgjatësi të madhe për një lojtar.
Si i vlerësoni lëvizjet në merkato që kanë bërë ekipet shqiptare, pjesëmarrëse në Kupat e Europës në këtë sezon?
Nuk jam i informuar me detaje, pasi për momentin jam i shkëputur nga angazhimet futbollistike, pasi po merrem me bizneset familjare. Por, me ato që kam lexuar apo informuar mediatikisht, lëvizjet kanë qenë të pakta. Mbase Tiranës nuk i janë dashur shumë ndërhyrje në këtë periudhë, pasi ruajti në përgjithësi grupin. Te Partizani kam parë se kanë bëra disa afrime, por mbeten lojtarë që nuk i njoh mirë dhe nuk mund të jap një mendim. Laçi duket disi më prapa me afrimet, pasi ka pasur largime me peshë në mesfushë. Ndërsa Vllaznia ka edhe pak kohë, meqë e nis nga turi i dytë. Jo vetëm Tirana, për të cilën fola më lart, por të gjitha ekipet shqiptare që marrin pjesë në Europë, ka ardhur momenti që të bëjnë progres duke mos u kënaqur thjesht me pjesëmarrjen. Kalimi i tureve të para duhet të kthehet në rutinë dhe të shikohet vetëm përpara.
Si ia del Tirana që të kalojë fillimisht Dundelanzhin dhe të kopjojë Skënderbeun në Europë nga ky sezon?
Tirana mund t’ia dalë vetëm me seriozitetin e presidentit, trajnerit, me lojtarët që duhet të jenë ushtarë në fushë dhe me shpirt gare dhe të etur për të kaluar ture. Dihet që gjërat bëhen më të mira duke kaluar ture në Kupat e Europës. Menaxhimi është ajo që i bën bashkë të gjithë këto komponentë që të çojnë te suksesi. Shikoj që drejtori Osmani po bën një punë shumë të mirë, duke iu referuar edhe marrëdhënieve me presidentin, trajnerin. Një trinom që ka qenë shumë i vështirë te Tirana më herët, por Osmani ia ka rritur që t’i ruajë balancat mes këtyre pikave. Nëse vazhdohet kështu, ku secili të shikojë punën e tij, siç dolën kampionë, bardheblutë mund të bëjnë gjëra të bukura edhe në Champions apo kompeticionet e tjera në Europë.
Me një karrierë të kompletuar dhe me shumë trofe dhe rekorde si lojtar, një ditë mund ta shikojmë Ervis Sinën si trajner të Tiranës? Unë i kam kryer të gjitha kurset kualifikuese për trajner, ku me Orges Shehin kam mbaruar edhe “UEFA PRO”. Nuk mund të them “jo”, por që të bëhesh trajner i Tiranës duhet që hapat t’i hedhësh me ngadalë dhe të kesh një eksperiencë pune. Them kështu, pasi nuk po merr një ekip lagjeje, por klubin më të mirë në Shqipëri. Duke qenë se po merrem me bizneset e mia, nuk kam kohë të merrem me pjesën e pasionit tim.
Pra, e keni gjetur veten diku tjetër jashtë sportit…
Për shkak të menaxhimit familjar të bizneseve nuk kam kohë të merrem me pjesën e futbollit. Mbase mund të vijë një moment që të kem dëshirë të afrohem për t’u bërë trajner. Për të kërkuar diçka të madhe duhet të kesh eksperiencë shumë të mirë, që për një trajner nis nga trajnimi i moshave. Eksperienca nuk vjen me llafe, por me kohën. Për momentin nuk e mendoj këtë gjë, pasi ndihem shumë mirë me bizneset e mia.
LEXO EDHE:
EKSKLUZIVE/ U ka shënuar gol luksemburgasve me aksion “Tiki-Taka”, Nertil Ferraj: Ja pse kalon Tirana ndaj Dudelanzhit (VIDEO)
EKSKLUZIVE/ Flet “Nesta” i Tiranës: Ka 2-3 vite që mban era klub, por në kohën tonë kemi eliminuar një ekip nga Luksemburgu
ILIR CARA – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…