Deputetët e Partisë Demokratike janë shprehur të shqetësuar për shklejen e rregullore së Kuvendit, me mazhorancën që votoi të gjitha projektligjet e parashikuara për të kaluar sot në Parlament para mbylljes së diskutimeve.
Teksa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e justifikoi votimin para kohe me një vendim të kryetarëve të Grupeve të secilës parti, deputeti i PD, Tritan Shehu iu përgjigj duke thënë se: “Kryetarët mund të jenë çmendur”.
“Po vazhdojnë të ndodhin gjëra të çuditshme në këtë parlament. Akoma pa mbaruar diskutimet ju votoni ligjin që doni të kaloni. Pse flasim ne këtu zonja kryetare. Ne japim argumente. Unë mund të jap argumente që zoti kryeministër mund të ndryshojë mendim për projektligjin. Ju thoni e kanë vendos kryetarët e grupeve. Edhe mund të jenë çmendur kryetarët e Grupeve . Ju takon ju të vendosni rregull dhe të mos lejoni veprime të tilla të antiparlamentarizmit këtu”, tha Shehu.
Të njëjtin shqetësim ka shprehur edhe deputeti Luan Baçi, i cili kërkoi gjithashtu që të njihet lista e re e deputetëve të paraqitur nga Partia Demokratike dhe jo ajo e shkuara e ish-kryetarit Lulzim Basha.
Ndërkohë në këtë moment kryeministri Edi Rama ka provokuar deputetët e PD të drejtuar nga kreu Sali Berisha duke u thënë se nuk kanë grup parlamentar, ndaj le t’i bashkohen Partisë Socialiste.
“Ato që tha zoti Shehu absolutisht janë të vërtete por kemi dhe problemin tjetër se na bënë thirrje kryeministri që andej thotë nuk keni grup ju. S’jeni grup hajdeni këtej nga ne thotë. Dua t’i them boll keni ju, nuk ju mjaftojnë ata deputetë që keni. Ju duhet të merrni në shqyrtim edhe listën e deputetëve të Partisë Demokratike, jo listën që ka paraqitur ish-kryetari i Partisë dhe vazhdoni me atë”, iu përgjigj Baçi, kreut të qeverisë.