Skuadra e Laçit nis nesër pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës me një përballje në fushën e saj ndal malezezëve të Iskra Danilovgrad. Një përballje ku kurbinasit shihen si favoritë për të kaluar turin, siç e pranoi edhe trajneri Shpëtim Duro në një intervistë për “SuperSport”, ku theksoi se ekipi i tij kishte qartësisht synime për të kaluar turin.
“Sigurisht që jemi gati. Kemi bërë një fazë përgatitore në Pogradec në kushte shumë të mira. Skuadra ka qenë e përqendruar dhe serioze. Jemi gati për të filluar këtë aventurë europiane.
Në letër ne jemi favoritë, duke patur parasysh koeficientin në Kupat e Europës, pasi jemi ekipi më i mirë shqiptar në vitet e fundit me pjesëmarrjet në Europë, ndaj dhe konsiderohemi favoritë përballë Iskrës. Por, në futboll jo gjithmonë fiton skuadra favorite. Duhet përqendrim, seriozitet dhe të bëjmë një paraqitje si edicionin e shkuar.
E kemi studiuar kundërshtarin, por ka një fakt se ekipi i Iskrës ka ndryshuar shumë dhe nuk jemi marrë me ndeshjet e sezonit të shkuar. Kemi parë ndeshjet e tyre përgatitore, e kemi analizuar me skuadrën. Është një ekip jo në nivelin tonë, por është një skuadër që vendoset mirë në fushë dhe duhet patjetër që të gjejmë mënyrën që ekipi jonë të përgatitet mirë të kalojmë këtë raund”, tha ai.
Sfida e parë në shtëpi sipas tij nuk ndikon shumë, pasi skuadra ka treguar se luan mirë edhe jashtë fushës së saj.
“Nuk ka ndryshime mes ndeshjeve. Një rezultat pozitiv na lehtëson punën për takimin e kthimit, por nuk ka më shumë diferenca. Edicionin e shkuar kemi treguar se dimë të luajmë mirë dhe jashtë fushe. Do të jenë dy takime shumë të rëndësishme, por jo deçizive ndeshja e parë edhe pse një rezultat i mirë do të jetë pozitiv. Ne duhet të jemi të përqendruar për të dyja ndeshjet.
Duhet të jemi realistë se kalimi i një turi është sukses për ekipet shqiptare. Si vijnë situatat është një temë tjetër. Kemi ndryshime, por jo të shumta pasi kemi ruajtur 70-80% të ekipit. Janë larguar disa lojtarë të mesit të fushës, që janë të rëndësishëm për një ekip, si Shehu e Deliu. Është një histori e mbyllur dhe shohim para, pasi kemi lojtarë të mirë dhe duhet të kalojmë këtë tur. Më pas do të shohim nga merkato për të piketuar ndonjë lojtar cilësor, pasi nuk na duhen shumë ndryshime”, theksoi Duro.
Arena e Lajmit
Loading…
Loading…