REPORTAZH/ Tirana takim me historinë në “Luks”, zhgënjen vetëm… stadiumi

Dy orë e 5 minuta drejt ëndrrës për t’u kualifikuar në Champions. Tirana ka nisur ndoshta një nga udhëtimet më të rëndësishme të dekadës së fundit, teksa dje në orën 4:41 minuta nga Rinasi nisi udhëtimin për t’u kualifikuar në grupet e Champions League. Një udhëtim me një frymë drejt asaj që mund ta çojë si fillim Tiranën në turin e dytë të Champions-it. Dhe për çudi janë lojtarët që vijnë të parë në aeroport. Nuk kanë vënë gjumë në sy. Ndoshta prej orarit, ndoshta prej stresit. Gjithsesi, të gjithë janë të qetë dhe derisa niset avioni mbizotëron qartësia. Më pas, dremitje e përgjumje.

Tirana

 

Urimet për 25-vjetorin e Nuriut që klubi ia feston në avion, prishin pak qetësinë. Një tortë e improvizuar dhe më pas udhëtimi merr fund në Luksemburg. Delegacioni është i madh. Ka të paktën 70 vetë, ndërsa në stadium priten shumë tifozë shqiptarë. Vetëm delegacioni shqiptar në aeroport dhe asnjë njeri tjetër. Rrugë e shkurtër deri në hotelin mes qytetit, i zgjedhur me delikatesë nga Goldi Halili, njëlloj si veshjet e skuadrës. Një mëngjes i shpejtë.

Lojtarët dhe trajneri në dhoma. Pjesa tjetër e delegacionit nis me imtësi këqyrjen e qytetit. Një qytet fantastik që nuk mund t’i gjesh asgjë për t’i sharë. Foto ngado, ndërsa të gjithë janë të mahnitur nga standardi i lartë. Shehi nuk e lëshon dosjen që çuditërisht është blu, ashtu si presidenti Refik Halili që kishte veshur një këmishë me po këtë ngjyrë. Drekë dhe diskutime, ndërsa Shehi gjendet kudo. Ashtu si Halili. Pasditja është me ritëm. Si fillim skuadra zhvendoset në stadiumin e ndeshjes, që është goxha larg, pikërisht në fund të këtij qyteti të vogël.

Një impiant modest, që “Selman Stërmasit” i merr të keqen… Fushë me përmasa të vogla, por jeshilja nuk ndahet nga sytë e bardhebluve. Tiranën, gjithsesi e presin miq. Janë të paktën 20 tifozë dhe ish-lojtarë si Astrit Ramadani. Përgatitjet nisin me një urra mes fushës, pas fjalëve të Orges Shehit. Orges Shehi duke parë që stërvitja është e hapur nuk tregon formacionin, ndërsa secili nga gazetarët kap cepin e tij. Trajneri i Tiranës kërkon vetëm gjuajtje në portë, ndërsa merr veç Seferin, Xhixhën e De Silvën, duke u mësuar sesi shënohet gol. Pas një ore stërvitjeje, Tirana mbyll ditën e fundit të përgatitjeve, por jo Orges Shehi që vazhdon të godasë penallti. I hanë duart e këmbët. Ama në fushë nuk do të jetë ai. Tani është radha e lojtarëve. Sonte kanë mundësinë e artë për të shënuar emrin e tyre në historinë e futbollit shqiptar… Burime pranë klubit thonë se nëse ia dalin të kualifikohen, shpërblimi do të jetë afro 100 mijë euro.

Nga i dërguari ynë në Dudelanzh, OLSI AVDIAJ-Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

REPORTAZH/ Tirana takim me historinë në “Luks”, zhgënjen vetëm… stadiumi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook