“Rama vendosi të bëjë milioner me pasurinë publike një oborrtar të tij”, PD denoncon qeverinë: I fali 9200 m2 pronë në Himarë kompanisë Gjikuria (Dokumentet)

454787878

Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Arbi Agalliu, gjatë një deklarate mëngjesin e sotëm ka denoncuar qeverinë duke thënë se kjo e fundit gënjen kur thotë se i ka shpallur luftë milionerëve.

Agalliu thotë se në të njëjtën ditë që zyra “e tij e propagandës njoftoi luftën e rremë me milionerët, Edi Rama me vendim qeverie vendosi të bëjë milioner me pasurinë tonë publike një oborrtar të tij, duke i falur 9200 m2 pronë në bregdetin e Himarës”.

Ai shton më tej se më datë 5 Prill 2022 Edi Rama vendosi miratimin e Statusit “Investitor Strategjik” për projektin e investimit “White Roads Hotel”, në pronësi të kompanisë Gjikuria, në një nga pronat më të lakmueshme në zonën e bregdetit të Himarës, ku parashikohet të ndërtohet një hotel dhe 150 vila.

Pjesë nga deklarata:
Këtij vendimi personal të Edi Ramës i kishte paraprirë miratimi i ndryshimeve me VKM Nr. 187, datë 25.3.2021, ku një pjesë e pasurisë publike që do i jepej më vonë kompanisë Gjikuria, pa garë dhe në kundërshtim me ligjin, ishte hequr nga fondi i zonave të mbrojtura të Monumentit Natyror “ Delta e Përroit të Palasës”. Vetëm pas ndryshimit të kufinjve të Monumentit Natyror, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura konfirmon se sipërfaqja ku do të zhvillohet projekti ndodhet në afërsi të Monumentit Natyror “ Delta e Përroit të Palasës”, kategoria e III e zonave të mbrojtura, por nuk është më pjesë e zonës së mbrojtur.

Për të realizuar qëllimin e tij personal, më datë 29 Korrik 2022, Edi Rama miraton një tjetër VKM, ku transferon për llogari të kompanisë Gjikuria 9200 m2 truall, duke ja vënë në dispozicion pa garë pronën publike për të ndërtuar hotel dhe 150 vila.

Kulmi i abuzimit me ligjin e investimeve strategjike është vendimi i Qeverisë i datës 7 Shtator 2022, ku e gjithë prona publike në bregdet, me sipërfaqe rreth 9200 m2, i dhurohet klientit personal të Edi Ramës vetëm për 1 euro gjithsej.

Pra ditën kur me propagandë njoftoi luftën e rremë me milionerët, vendosi të bëjë milioner me pasurinë tonë publike një klient personal të tij.

Për të favorizuar mikun e tij, për Edi Ramën 9200 m2 në bregdetin e Himarës, pronë e qytetarëve shqiptarë, kushton vetëm 1200 lekë të vjetra. Thënë ndryshe për Edi Ramën, 9200 m2 pasuri e shqiptarëve kushton më pak se 1 kafe në Himar.

Po kush është oligarku i Edi Ramës që ka përfituar 9200 m2 pasuri të shqiptarëve duke i paguar Buxhetit vetëm vlerën e një kafeje në Himar?

Është i njëjti oligark që një vit më parë, më datë 4 Shkurt 2021 ka përfituar statusin investitor strategjik për një tjetër projekt, të quajtur “Coast to Coast”, që gjithashtu parashikon ndërtimin e një kompleksi të përbërë nga 3 hotele, qindra vila rezidenciale, rinovimi i 40 (dyzet) shtëpive tradicionale dhe 1 (një) fermë me prodhimet bujqësore, në një sipërfaqe totale prej 21 ha. Edhe në këtë rast Qeveria parashikon në vendim që ti vendos në dispozicion pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetit shqiptar, me qëllim realizimin e strukturës akomoduese turistike.

Është i njëjti oligark që Qeveria i ka dhënë me koncesion ndërtimin e rrugës “Orikum – Llogara”, me vlerë rreth 50 milion euro, me vlerë 3 fishi i cmimit në vendet e tjera të rajonit dhe europës.

Është i njëjti që në këto 9 vite ka përfituar miliona euro nga tenderat korruptiv dhe klientelist të Edi Ramës.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e ka faktuar tashmë që Edi Rama e ka shndërruar ligjin për investimet strategjike në ligjin e favoreve klienteliste, ku pasuritë publike po jepen pa garë, në kundërshtim me ligjin, tek një rreth i ngushtë i miqëve dhe familjarëve të Edi Ramës. Zbatimi i ligjit ka provuar se asnjë investitor serioz i huaj nuk ka përfituar prej tij, për shkak se Komiteti i Investimeve Strategjike i kryesuar nga Edi Rama është shndërruar në Komitetin e Oligarkëve Strategjik të Kryeministrit.

36 projekte të investimeve strategjike, me vlerë 4.6 miliard euro, i kanë marrë jo më shumë se 10 individë, ku secili prej tyre ka 2-4 projekte. Pra Kuvendi në vitin 2015 miratoi një ligj, gjoja me sebepin se do të sillte investime të huaja dhe do krijonte lehtësi për investitorë serioz të huaj, por përfundimi është që përfitues nga ligji janë 10 individë, miq dhe oratakët e përhershëm në biznes të Edi Ramës, shtuar ministren Olta Xhacka.

Kjo është arsyeja se përse në kundërshtim me Kushtetutën, Edi Rama urdhëroi bllokimin e ngritjes së Komisionit Hetimor për investimet Strategjike. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të vijojë të bëjë transparencë me fakte sesi Edi Rama e ka shndërruar ligjin e investimeve strategjike, në një mekanizëm korruptiv të grabitjes së pronës publike për llogari të një grushti njerëzish të oborrit të tij. Gjejmë rastin të nxisim Gjykatën Kushtetutese të marrë në shqyrtim pa vonesa kërkesën tonë dhe ti hap rrugë ngritjes së Komisionit Hetimor për investimet strategjike.

Ne do u provojmë shqiptarëve që Edi Rama është në ortakëri me oligarkët që i bën milionerë me pasuritë tona publike. Nuk ka luftë të Edi Ramës me milionerët, ka vetëm luftë të Edi Ramës për grabitjen e pasurive publike për të bërë milionerë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërkohë që shqiptarët varfërohen cdo ditë e më shumë. Propaganda nuk e ndalon dot zbardhjen e të vërtetës dhe aleancën e Edi Ramës me një grusht njerëzish për tu bërë milionerë me pronat e shqiptarëve.

“Rama vendosi të bëjë milioner me pasurinë publike një oborrtar të tij”, PD denoncon qeverinë: I fali 9200 m2 pronë në Himarë kompanisë Gjikuria (Dokumentet)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook